Pëllumb Salillari shkon në gjyq, kompania ndërtoi kate pa leje te kompleksi i pallateve në Farkë
Gjykata e Tiranës ka kaluar për në seancë gjyqësore dosjen në ngarkim të kompanisë së Pëllumb Salillarit për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm. Sipas akuzave, hetuesit kanë gjetur prova dhe fakte se në Farkë ku kompania po ndërtonte janë konstatuar kate pa leje që nuk ishin parashikuar në lejen e ndërtimit.
Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkësën e prokurorisë për kalimin në gjyq të dosjes ndaj kompanisë së Pëllumb Salillari për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm.
Hetimet kanë konstatuar se firma “Salillari” kishte marrë leje nga Bashkia e Tiranës në vitin 2020 për të ndërtuar një godinë me 6 kate mbi tokë, përveç parkimit.
Por, ajo që rezultoi nga kontrolli në terren i autoriteteve dy vite më pas, ishte se ndërtesa kishte një kat shtesë me rreth 2.500 m2 pa leje.
Sipas njoftimit të Prokurorisë në datën 6 Korrik 2022, shërbimet e Postës së Policisë Farkë pranë Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë janë njoftuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në portalin e policisë së shtetit “Komisariati Dixhital” ka disa njoftime nga banorë të zonës së kopshtit Botanik rruga “Bilal Sina”, Njësia administrative Nr. 13 Tiranë, ku thuhej së subjekti “Salillari shpk” po ndërton pallate pa leje.
Pas krahasimit të shkresave me Bashkinë e Tiranës rezultuar se kompania “Salillari” është gjetur në shkelje. Për këtë çështje nën hetim janë vendosur dy persona përfaqësues së firmës.
Pak ditë më parë edhe biznesmeni tjetër Lulzim Morina është marrë i pandehur nga akuza e Tiranës për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm.
Gjatë hetimeve mbi disa procedime penale të regjistruara për këtë shtetas dhe kompaninë që ai administron, për periudhën 2021-2024, u konstatua se kjo shoqëri tejkaloi lejet e ndërtimit të marra për godina banimi dhe shërbime në disa raste.