Aktualitet dhe Lajme

Pas tatimit te profesionet e lira, shtrenjtohen nga 15 deri në 100% tarifat e shërbimeve mjekësore dhe psikologëve, rritje edhe nga avokatët e kontabilistët

Share

Pas ndryshimit të taksimit për profesionet e lira, rriten tarifat për marrjen e shërbimit nga psikologët pranë gjykatave dhe për kontrollet mjekësore në klinikat private.

Shtrenjtimi ka nisur të zbatohet në disa raste sporadike, por profesionet e tjera të lira, si avokatët dhe kontabilistët pohojnë se brenda vitit pritet të këtë ndryshimi masiv të tarifave nga vendosja e tatimit mbi të ardhurat.

Avokati Përparim Caca, pohoi për “Monitor” se tashmë ka raste konkrete të shtrenjtimit të tarifave nga psikologët pranë gjykatave. Sipas tij rritja varion nga 15 deri 20%.

“Tashmë është fakt që në disa prej rasteve qytetarët po paguajnë për shërbimin ndaj psikologut në seancat gjyqësore më shumë se paguanin vitin e kaluar. Tarifa ndaj psikologut për akt ekspertimi nga 50,000 lekë kushton 57,500 për shkak të zbatimit nga 1 janari 2024 të tatimit mbi të ardhurat përkatësisht në normat 15 dhe 23%”.

Shtrenjtim të tarifave pritet të ketë edhe nga avokatët sipas Përparim Cacës nga 20 deri 30%.

Eglantina Nikollaj, psikologe e regjistruar në regjistrin elektronik të Ministrisë së Drejtësisë, pohoi se deri tani në dijeni të saj nuk ka hasur në raste të ndryshimit të tarifave, por ajo thekson se rritja e tyre është e pashmangshme.

Trendi për rritjen e tarifave të shërbimit nga psikologët do të jetë e paevitueshme për shkak të ndryshimit të tatimit në profesionet e lira nga 0 në normat 15-23%. Rritja do t’u faturohet qytetarëve”, pohon ajo.

Shtrenjtim të tarifave në fillim të këtij viti ka pasur edhe në shërbimet mjekësore të ofruara nga disa klinika private.

Kontrollet mjekësore me tarifë 1,000 lekë janë shtrenjtuar në 2,000 (rritja 100%). Kontrollet me tarifë 3,000 lekë kanë arritur në 4,000 lekë (rritja rreth 34%) dhe vizitat mjekësore prej 4,000 lekë kanë arritur në 5,000 lekë (rritja 25%).

Romina Radonshiqi pedagoge e shkencave ekonomike, tha se profesionistët e lirë gjenden përballë një dileme të rrisin çmimet, apo të ulin marzhet e fitimit nga aktiviteti që ata kryejnë.

Tashmë sipas saj një pjesë e profesionistëve të lire, kanë nisur rritjen e çmimeve të të mirave dhe shërbimeve duke krijuar pakënaqësi tek qytetarët shqiptarë.

“Rritja e çmimeve do të prekë buxhetin e familjeve shqiptare, duke vënë në vështirësi shëndetin financiar në kushte ku vendi ynë ka një nivel të lartë të kostos së jetesës për shkak të nivelit të pagës mesatare dhe rritjes së çmimeve për produkteve bazë.

Gjithashtu, rritja e çmimeve do të ulë kërkesën për aktivitetet e profesionistëve të lirë ku një pjesë e tyre mund të arrijnë deri në mbylljen e aktivitetit apo të mendojnë të largohen nga vendi dhe të ofrojnë shërbimet e tyre jashtë vendit”, nënvizon ajo.

Zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetë punësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira nisi nga 1 janari 2024.

Ndryshimet ligjore hasën kundërshtime nga shumë shoqata për profesionet e lira, si Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, Dhoma Kombëtare e avokatisë që e cilësuan ligjin antikushtetues dhe diskriminues, pasi nuk shtrihet për të gjitha bizneset.

Në muajin dhjetor u botua në fletoren zyrtare vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave me listën për shërbimet e profesioneve të lira që do të përfshihen në taksimin e ri, duke përfshirë 26 lloje aktivitetesh duke nisur nga shërbimi IT, i kontabilitetit, avokatët, arsimin, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit operatorët turistikë etj.

Tatimi 15% për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri 14,000,000 lekë në vit llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve fikse të padeklaruara në kontabilitet në vlerën 30%, duke përfshirë dhe të ardhurat nga paga minimale, ndaj totalit të të ardhurave vjetore.

Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pa mbajtura në kontabilitet në masën 30%.

Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.

Në total sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri 29 mijë biznese të profesioneve të lira.

MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtar) përfshihen në fashën e ardhurave vjetore deri 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button