Paralajmërimi i Berishës: Protesta e radhës do zgjasë me ditë, s`do të ketë vetëm bllokim rrugësh
Ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar për mediat në lidhje me bllokimin e rrugëve një ditë më parë nga opozita.
Ai u shpreh se këto ishin 180 minuta çlirimi për shqiptarët dhe jo izolimi siç dukej në plan të parë.
“Kryefjala e çdo shqiptari, lajmet e agjencive botërore, ishin një dhe vetëm një, paralizimi prej 3 orësh i Shqipërisë nga veriu në jug. Për këtë më duhet të bëj një korrigjim: Në pamje të parë dukej se Shqipëria ishte e paralizuar për 3 orë, por mbrëmë Shqipëria ishte e çliruar për 3 orë.
Dje Shqipëria rifitoi dinjitetin për 3 orë, por më e rëndësishmja, mesazhi i shpresës që ne u përcollëm qytetarëve, opozita nuk ka frikë nga narkoshteti”, tha Berisha.
Berisha paralajmëroi se aksioni sapo ka nisur.
“Kujtoj se kemi ezauruar vetëm 2 nga 77 mënyrat e mosbindjes civile, kemi edhe 75 të tjera”,- tha Berisha.
Berisha deklaroi më tej, se protesta e radhës mund të zgjasë me ditë ose javë nëse është e nevojshme. Ai ka paralajmëruar se në protestën e radhës nuk do të ketë vetëm bllokim rrugësh.
“Herën tjetër do të jetë 3 ditë ose 3 javë nëse është nevoja,. Jo vetëm bllokim rrugës por edhe okupim i institucioneve pa të cilat narkoshteti nuk funksionon dot”, tha ai.