Aktualitet dhe Lajme

PAMJET/ RAI 3 rikthehet në Shqipëri, por gazetari nuk pranon kafen e Ramës

Share

Emisioni “Report” që transmetohet çdo të diel në mbrëmje në “RAI 3” është rikthyer në Shqipëri. Të dielën që vjen do të publikohet pjesa e dytë, e shumëpërfolur e dokumentarit për kampet e pritjes së emigranteve që duhet të ndërtohen në Shëngjin dhe Gjadër.

Prezantuesi dhe autori i këtij programi, Sigfrido Ranucci zbuloi në emisionin e fundit se në pjesën e dytë të dokumentarit do të ketë edhe një intervistë “riparuese” me Edi Ramën. Në një kronikë të shkurtër prezantimi duket që kryeministri shqiptar ka pritur në zyrën e tij gazetarin e RAI3, Giorgio Mottola që kreu edhe dokumentarin e parë.

Prezantuesi dhe autori i këtij programi, Sigfrido Ranucci

Detaji që zbulohet është se gazetari italian nuk ka pranuar kafen e ofruar nga kryeministri Rama, gjë sipas tij bëri kreun e qeverisë shqiptare të mbetet paksa keq. Vetë Rama e ka kaluar me një batutë gjatë intervistës edhe pse gazetari i thotë se kishte pirë një tjetër kafe më herët.

Gazetarët italianë në zyrën e Ramës

“A ishte paksa dyshuese ajo kafe që nuk e pranuat? Ah nuk ka problem. Sepse ndoshta me të gjitha ato që ke në mendje të dukem si autokrati që kërkon të helmojë gazetarin” – thotë Rama. Në pjesën e shkurtër të transmetuar sillen në vëmendje të gjitha akuzat që Rama i bëri reportazhit të parë.

Gazetari e ka pyetur Ramën nëse vërtet e konsideron “të shpifur” emisionin e transmetuar dhe kreu i qeverisë i dha këtë përgjigje: “Unë nuk dua të këmbëngul tek fjala, por nëse ju doni të këmbëngulni: “Po ishte shumë e shpifur” – thotë Rama.

Rama duke folur për RAI 3

Në emisionin e parë u fol për lidhje të qeverisë shqiptare me krimin dhe korrupsionin. Në fokus ishte Sekretari i Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi të cilin e kishin etiketuar si “avokat të trafikantëve”.

“Pas sulmeve të dy kryeministrave, asaj italiane, Giorgia Meloni dhe atij shqiptar, Edi Rama, i rikthehemi trajtimit të marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë. Intervistuam kreun e qeverisë shqiptare, i cili pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të Giorgio Mottola-s, madje edhe pyetjeve të mprehta për infiltrimin e mafies shqiptare në qeverinë e tij”, – njofton “Rai 3” në trailerin e emisionit.

Por edhe emisioni i dytë duket se nuk u ka shpëtuar hedhjeve të dyshimit për korrupsion. Gazetarët kanë shkuar në Gjadër ku kanë vënë re se një nga personat e kontraktuar për ndërtimin e kampit, ka një kompani për të cilën nuk u gjet asgjë në të dhënat e qeverisë italiane.

RAI 3 në Gjadër

“Një nga personat e kontraktuar për ndërtimin e kampit, ka një kompani për të cilën nuk gjetëm asgjë në të dhënat e qeverisë. Ky person përmendet në një rast të korrupsionit të zyrtarëve. Ka disa politikanë që kanë gjetur Eldoradon në Shqipëri” – thuhet pjesën e shkurtër të publikuar. ©LAPSI.al

LEXO EDHE: Investigimi i RAI3/ Çfarë e tërboi Edi Ramën



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button