Operacioni i SPAK/ Berisha: Emri i Ramës u censurua nga studiot e TV
Ish-kryeministri Sali Berisha i është rikthyer mbrëmjen e së martës edhe një herë operacionit të SPAK që çoi në nxjerrjen e 50 urdhër-arresteve. Berisha tha se ky operacion ishte temë e të gjitha emisioneve televizive edhe pse nuk u arrestua asnjë nga bosët e krimit, por edhe asnjë prej anëtarëve të këtyre familjeve. Sipas Berishës ata “ishin larguar, ishin njoftuar të largoheshin para se të firmoseshin mandatet e arrestit”. Ajo që i tërhoqi më shumë vëmendjen Berishës ishte se nuk u përmend emri i Ramës.
“Mbrëmë thashë se ishte një natë pa hënë sepse në studiot televizive të vendit u fol për kriminelin Arben Ndoka, soj sorollopin e tij, për Durim Bamin, për Rrajat dhe stër-rrajat, për Eduart Ndrecën, për famëziun Mitri dhe të tjerë. Por mbrëmë nuk u shqiptua një herë të vetme, nuk u lakua një herë të vetme pothuajse në të gjitha studiot, me ndonjë përjashtim të rrallë, emri i padrinos së 7 familjeve, i padrinos së mafies shqiptare, i padrinos armik më i rrezikshëm i shqiptarëve në histori, Edi Ramës.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, të nderuar gazetarë dhe gazetare, nata e mbrëmshme ishte dëshmi e kombinimit të dhunës së tmerrshme të krimit mbi shqiptarët dhe vellos së zezë të censurës mbi ta. Sepse për çdo qytetar të këtij vendi, që i thotë të vërtetës të vërtetë, Arben Ndoka, një përdhunues i shpifur, pasi u përzu nga administrata kur u gjetën dokumentet, gjeti strehë tek Rilindja e krimit. U bë deputet i Edi Ramës dhe pasi u nxor nga parlamenti mbi bazë dokumentesh, Edi Rama o të nderuar gazetarë dhe gazetare, e emëroi kryemafiozin e Lezhës drejtues politik të partisë së krimit në Lezhë.
Po pse ju nuk lakoni dot emrin e Edi Ramës? Çfarë është kjo censurë e tmerrshme? Po Arben Ndoka pasi u zhvesh nga çdo funksion u lartësua në drejtues politik, komisar të Lezhës dhe u shndërrua në një nga kriminelët elektoralë më të rrezikshëm. Për kë mblodhi vota Arben Ndoka, miqtë e mi? Arben Ndoka mblodhi vota për krimin, për drogën, për Edi Ramën, për pushtetin antishqiptar të tij. Arben Ndoka mbrëmë në studiot televizive nuk ishte asgjë tjetër veçse hija e Edi Ramës.
Por shqiptarët dhe ju më mirë se të gjithë të tjerët të nderuar njerëz të medieve, se ai ishte hjekësi i Bajrëve dhe Pëllumb Gjokës në Torovicë. Por Altin Dumani mbante dosjen e tij në tavolinë. Mbronte hjekësin se mori një thes me para me urdhër të Edi Ramës në mënyrë që ai të dhunonte zgjedhjet e Lezhës me bandat e tij” – tha Berisha ndër të tjera. /LAPSI.al
Huazuar nga Lapsi.al