Aktualitet dhe Lajme

Nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës te interpelanca me ministrin Hoxha, çfarë pritet të ndodhë sot në Kuvend

Share

Këtë të enjte, Kuvendi zhvillon seancë plenare ku në rend të ditës është një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, kërkuar nga deputeti Asllan Dogjani.

Më pas, do të shqyrtohet projektligji Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar si dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.

Në rendin e ditës në Kuvend, është edhe projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.1/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr.59/2024, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, në kuadrin e kësaj konvente, të zbatueshme që nga 1 janari 2025”.

Më pas, do të diskutohet projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe dy projektvendime për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Gjithashtu, nesër Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.

Në seancën e nesërme pritet të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do mbajë funksionin e Kryetarit të Bordit”.

Gjithashtu, do të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2025”.

Kuvendi do të shqyrtojë projektvendimet për lirimin e Gëzim Podgoricës dhe Genc Përmetit nga detyra e anëtarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, si dhe projektvendimet për shkarkimin e Leka Bungos nga detyra e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, si dhe shkarkimin nga detyra e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, Albert Minga, Ardita Reçi, Dionis Papadhimitri, Edmond Tullumani, Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Mevlan Shanaj dhe Milena Selimi.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button