Negociatat me Rusinë, Zelensky zbulon zhvillimin e papritur: Bisedimet e radhës ka gjasë të mbahen në SHBA

Share

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë mbrëmjen e sotme (5 shkurt) sinjale të forta për një zhvendosje të mundshme të qendrës së negociatave të paqes. Në fjalimin e tij të përnatshëm drejtuar kombit, Zelensky bëri me dije se raundi tjetër i takimeve diplomatike ka shumë gjasa të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky njoftim vjen menjëherë pas përfundimit të një raundi intensiv bisedimesh që u mbajt gjatë dy ditëve të fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku në tryezë u ulën delegacionet e Ukrainës, Rusisë dhe ndërmjetësuesit nga Shtetet e Bashkuara.

Kreu i shtetit ukrainas konfirmoi se ka marrë informacionet e para nga ekipi negociator, por theksoi se natyra e bisedimeve është tepër sensitive për t’u diskutuar përmes linjave telefonike.

“Sot mora një raport nga ekipi ynë negociator pas dy ditësh takimesh. Megjithatë, pres që ekipi të kthehet në Kiev për të më ofruar një raport gjithëpërfshirës personalisht, pasi shumë aspekte nuk mund të diskutohen në mënyrë të mjaftueshme ose të sigurt në telefon,” u shpreh Zelensky.

Hapi i radhës, Uashingtoni?

Pavarësisht rezervave për detajet specifike, Zelensky konfirmoi se procesi diplomatik nuk është ndalur.

“Ajo që mund të thuhet tashmë është se takime të mëtejshme janë planifikuar në të ardhmen e afërt, dhe ndoshta vendtakimi do të jetë në Shtetet e Bashkuara,” përfundoi ai, duke hapur një kapitull të ri në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.


starnews.al

Reklama
Back to top button