Në shtëpi për Vitin e Ri

Share

Gazeta KOHA bëri një anketë gjithëpërfshirëse, duke parashtruar tetë pyetje për anketuesit rreth harxhimeve të fundvitit, gjegjësisht sondazhi synonte të zbulonte njohuritë mbi buxhetet dhe shpenzimet e qytetarëve për festimet e natës së Vitit të Ri. Ndërkaq, në një bisedë me Bujar Tahirin, menaxher i agjencisë turistike “Travel Story” në Shkup, u kuptua se sivjet qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë shkurtuar dukshëm udhëtimet e tyre për Vitin e Ri në krahasim me vitin paraprak, duke shprehur zhgënjimin pasi nuk janë realizuar pritshmëritë e tyre

 

Llausha ZENUNI

Ndërsa ora zbret drejt mesnatës, pritja për t’i thënë lamtumirën vitit të vjetër dhe përqafimi i të riut rezonon mbi Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, përtej festimeve të gëzueshme dhe fishekzjarrëve, qëndron një sfidë buxhetesh dhe shpenzimesh, një rrëfim që shpesh kalon pa u vënë re.  Ndonëse në gjendje jo fort të kënaqshme ekonomike, qytetarët e Maqedonisë së Veriut shpenzojnë shuma të mëdha për natën e Vitit të Ri. Shuma që qytetarët shpenzojnë për ndërrimin e motmoteve është e lartë në krahasim me pagën minimale në vend e gjithashtu duke përfshire numrin e lartë të papunësisë.

Advertisements


  1. Z, qytetar i Shkupit, i cili është kryefamiljarë, thotë se natën e Vitit të Ri, familja e tij shpenzon rreth 200-300 euro dhe sipas tij, ia vlen të japësh këtë shumë parash. “Kam tre fëmijë dhe për ta kjo festë është sinonim i dhuratave dhe harmonisë familjare. Por sigurisht që edhe për ne si të rritur, sepse ndoshta është dita e vetme e vitit kur të gjithë mblidhemi për të festuar bashkë. Me pak kursime para festave, organizohet një festim me shpenzim të arritshëm”, ka thënë ai.

Gazeta KOHA bëri një anketë gjithëpërfshirëse, duke parashtruar tetë pyetje për anketuesit rreth harxhimeve të fundvitit, gjegjësisht sondazhi synonte të zbulonte njohuritë mbi buxhetet dhe shpenzimet e qytetarëve për festimet e natës së Vitit të Ri. Më shumë se gjysma e qytetarëve të cilët i’u përgjigjën anketës tonë, ishin të punësuar, të cilët kur u pyetën për të përshkruar gjendjen e tyre aktuale financiare në krahasim me vitin paraprak, 45.80% raportuan se ishte e njëjtë. Në një shkallë nga 1 deri në 5, duke matur shqetësimin për normën aktuale të inflacionit që ndikon në buxhetin e tyre familjar, 54.2 për qind u shprehën të shqetësuar goxha të shqetësuar, duke shprehur kështu një nuancë frike ekonomike.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre, pra 72.90 për qind e pranuan nevojën për të shkurtuar shpenzimet jo thelbësore në përgjigje të rritjes së kostos së jetesës, por megjithatë, përtej sfidave ekonomike, 41.70 për qind janë shprehur se rritja e çmimeve nuk ka ndikuar në planet e tyre për të festuar Vitin e Ri.

Duke parë përpara, 52.10 për qind kanë treguar se nuk planifikojnë të ndajnë një buxhet specifik për shpenzimet festive, duke marrë parasysh kushtet aktuale ekonomike.

Një masë e konsiderueshme e qytetarëve, pra 70.8 për qind janë shprehur skeptikë për efektivitetin e Qeverisë në trajtimin e ndikimit të inflacionit në koston e jetesës. Në një bisedë me Bujar Tahirin, menaxher i agjencisë turistike “Travel Story” në Shkup, u kuptua se sivjet qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë shkurtuar dukshëm udhëtimet e tyre për Vitin e Ri në krahasim me vitin paraprak, duke shprehur zhgënjimin pasi nuk janë realizuar pritshmëritë e tyre. “Ka ndikuar rritja e çmimeve të biletave të udhëtimit dhe kostot njëlloj të ngritura të hoteleve. Aranzhmani më i lirë kushton rreth 280 deri në 300 euro për person ku përfshihet transferimi nga aeroporti deri në hotel, bileta e aeroplanit dhe akomodimi në hotel për tre-katër net në destinacione evropiane, ku më të preferuarat janë Roma, Parisi, Milano dhe Stambolli”, ka thënë ai.

Tahiri gjithashtu shton se udhëtimet gjatë sezonit dimëror dallojnë dukshëm nga ato verore ngaqë 70 për qind e klientëve të agjencisë turistike që ai udhëheq janë shqiptarë dhe sipas tij, shqiptarët nuk janë aq të dhënë pas skijimit. “Fluksi dallon nga sezoni në sezon. Me sa kemi vënë re, kjo ndodhë sepse përqindja më e madhe e klientëve tanë preferojnë të shëtisin në metropolet e lartcekura, sesa të shkojnë në qendrat e skijimit si për shembull Bansko, Borovec apo Kapaonik”, ka thënë Bujar Tahiri, menaxher i agjencisë turistike “Travel Story”.

Si përfundim, përballë pasigurive, shpirti i paepur i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut shkëlqen. Nata e Vitit të Ri nuk bëhet thjesht një festë, por një dëshmi e qëndrueshmërisë, përshtatshmërisë dhe vendosmërisë së tyre kolektive për të përqafuar të ardhmen, pavarësisht nga sfidat ekonomike.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 


Huazuar nga Koha.mk

Reklama
Back to top button