Aktualitet dhe Lajme

Në Gaza, nuk ka vend një të sigurt!

Share

Teatri i Lirisë në Jenin, një simbol popullor i paqes dhe shpresës në Bregun e pushtuar Perëndimor, është bastisur, vandalizuar dhe mbushur me simbole fetare e politike izraelite. Teatri ka qëndruar si një simbol i shpresës për banorët e Jeninit që kur u themelua si Teatri i Gurit në vitin 1987, pas Intifadës së Parë, nga Arna Mer-Khamis, një aktiviste izraelite e paqes që vdiq më 1995

 

Pika historike që ofronte shërim për fëmijët e traumatizuar në Bregun Perëndimor është bastisur, kurse drejtorët janë arrestuar. Teatri i Lirisë në Jenin, një simbol popullor i paqes dhe shpresës në Bregun e pushtuar Perëndimor, është bastisur, vandalizuar dhe mbushur me simbole fetare dhe politike izraelite. Në një sallë të shfaqjes së filmit brenda teatrit, Ylli i Davidit është vizatuar në mur me bojë, ndërsa mbishkrimet që përshkruajnë gjithashtu Yllin e Davidit dhe një menorah (një mbajtëse qirinjsh të Hanukkah) është skalitur në murin e jashtëm. Bastisja ushtarake izraelite në teatër u zhvillua natën e 12 dhjetorit dhe orët e para të 13 dhjetorit. Dy drejtorët e saj u arrestuan atë natë dhe mëngjesin tjetër. Njëri prej tyre, Ahmed Tobasi, u lirua pas 14 orësh, por tjetri, Mostafa Sheta, mbetet në paraburgim. Ai besohet se është dërguar në burgun ushtarak Megiddo në Izraelin verior, sipas Tobasit.

Kjo nuk është hera e parë që monumenti i komunitetit sulmohet. Teatri ka qëndruar si një simbol i shpresës për banorët e Jeninit që kur u themelua si Teatri i Gurit në vitin 1987, pas Intifadës së Parë, nga Arna Mer-Khamis, një aktiviste izraelite e paqes që vdiq më 1995.

Mer-Khamis ishte një mbështetëse e përjetshme e të drejtave të palestinezëve, veçanërisht të fëmijëve. Me teatrin e saj, ajo shpresonte t’u ofronte fëmijëve një hapësirë për shërim dhe të fuqizonte gratë përmes teatrit dhe artit. Ndërtesa e parë e teatrit u shkatërrua në vitin 2002 nga forcat izraelite gjatë Intifadës së Dytë. Në vitin 2006, Juliano Mer-Khamis, djali i Arnas nga bashkëshorti i saj i krishterë palestinez, Saliba Khamis, rihapi teatrin në një vend të ri në Jenin dhe u dyfishua si një qendër komunitare. Megjithatë, jo të gjithë ishin mbështetës. Në vitin 2009, një person i paidentifikuar hodhi dy kokteje molotovi në teatër derisa ai ishte bosh. Juliano u qëllua për vdekje nga një sulmues i maskuar në Jenin në vitin 2011 në moshën 52-vjeçare. Çështja e vrasjes së tij nuk u zbulua kurrë.

Advertisements

Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza më 7 tetor, tensionet janë rritur në Bregun Perëndimor, me bastisje të rregullta dhe shpesh brutale të kryera nga forcat izraelite dhe shtetrrethim të rreptë të vendosur ndaj banorëve palestinezë. Kolonët e armatosur dhe ushtarët kanë bllokuar rrugët me llogore dhe shpesh kanë qëlluar me armë ndaj kujtdo që del jashtë shtëpive të tyre. Rreth 58 palestinezë, përfshirë fëmijë, janë vrarë gjatë 15 inkursioneve ushtarake në kamp dhe qytet.

“PA PYETJE – ATA THJESHT MË MORËN MUA”

Gjatë gjithë kësaj, Teatri i Lirisë vazhdoi punën – deri të martën mbrëma, të javës së kaluar. Ai ofronte veçanërisht një hapësirë për fëmijët për t’u shëruar nga trauma përmes aktiviteteve të udhëhequra nga punonjësit e teatrit. Bastisja e teatrit ishte pjesë e një operacioni ushtarak në Jenin nga forcat izraelite që filloi më 12 dhjetor dhe zgjati për tri ditë. Gjatë asaj kohe, 500 palestinezë u arrestuan dhe 100 vazhdojnë të mbahen në paraburgim, tha Tobasi, i cili vetë u mbajt në kushte të rënda. “Si mund të vazhdojmë të ekzistojmë në këtë mënyrë?”, pyeti Tobasi, 39 vjeç. Nuk ishte hera e parë që ai burgosej. Ai kaloi katër vjet në burgjet izraelite pasi u kap gjatë një rrethimi të Jeninit në vitin 2002.

I lindur dhe i rritur në kampin e refugjatëve në Jenin, Tobasi ka ardhur në teatër që kur ishte fëmijë. Ai ishte pjesë e grupit të parë të fëmijëve që morën pjesë në aktivitetet e Teatrit të Gurit.

Të mërkurën e kaluar rreth orës 11 të mëngjesit, megjithatë, forcat izraelite thyen derën e përparme të shtëpisë së tij në Jenin dhe e arrestuan atë së bashku me vëllain e tij. Ai i tregoi “Al Jazeeras” se si e kishin lidhur me pranga dhe ia kishin mbuluar sytë, para se ushtarët ta shkelmonin në kokë dhe në stomak. Më pas ai u dërgua në pikën e kontrollit Al-Jalama, në veri të Jeninit, ku u mbajt në të ftohtë, shi dhe baltë për rreth 14 orë përpara se të lirohej. “Ata nuk më thanë pse erdhën”, tha ai. “Nuk më thanë nëse kërkohesha për ndonjë krim. Asnjë pyetje e bërë. Ata thjesht më morën mua”. Tobasi ishte kthyer së fundmi në Bregun e pushtuar Perëndimor, nga Franca, ku ishte në turne me një kompani teatrore. Familja e tij i dërgoi atij foto dhe video të bastisjeve të vazhdueshme që filluan pas fillimit të luftës në Gaza më 7 tetor dhe, tha ai, ndjeu dëshirën për t’u kthyer te njerëzit e tij dhe teatri i tij.

Që kur u lirua, ai nuk kishte asnjë lajm për Shetan, 43 vjeç, derisa foli me një shok tjetër nga teatri, Ismael Hussam Ibrahim, i cili u arrestua më 12 dhjetor dhe u lirua më 13 dhjetor.

Ibrahimi tha se ushtarët izraelitë hynë me forcë në shtëpinë e tij, i vunë prangat, ia mbyllën sytë dhe ia sekuestruan laptopin. Një nga ushtarët e pyeti për vendndodhjen e Tobasit, por ai nuk tha asgjë. Ibrahimi, 25 vjeç, tha se ai u dërgua në një vend tjetër ku ai mundi të hapte sytë e tij dhe ai pa Shetan, gjithashtu me sy të lidhur dhe me pranga, të ulur në të ftohtë dhe baltë afër tij. “Ata bënë foto me mua. U ndjeva i poshtëruar”, tha ai për “Al Jazeeran”.

ÇDO VEND NË QYTETIN E JENINIT ËSHTË NJË CAK

Bastisja dhe plaçkitja e Teatrit në Jenin janë parë si goditje e madhe për komunitetin dhe njerëzit që punojnë atje, të cilët e shihnin atë si një vend të sigurt. Njëra prej tyre është Ranin Odeh, 32 vjeçe, koordinatorja e programit për fëmijë dhe të rinj, e cila drejton aktivitetet për fëmijët e traumatizuar në teatër. “Unë nuk jam mirë”, i tha ajo “Al Jazeeras”. “Ushtria pushtuese sulmoi teatrin dhe shkatërroi zyrat”. Odeh nuk ishte brenda teatrit kur ndodhi bastisja, por për të, ajo që ndodhi me teatrin ka nënvizuar rrezikun shumë real me të cilin jetojnë palestinezët në Bregun Perëndimor dhe me faktin që nuk ka shpëtim.

“Ndoshta fjalët nuk i shprehin ndjenjat dhe mendimet e mia. Jemi në një situatë shumë të mjerueshme dhe të vështirë”, tha ajo. “Çdo vend në qytetin e Jeninit është një cak. Nuk ka vend të sigurt”.

Tobasi tani po e kalon pjesën më të madhe të kohës duke pastruar rrëmujën në teatër. “Për mua mënyra se si na arrestojnë dhe na trajtojnë është shumë poshtëruese. Ti e urren veten, e urren njerëzimin, e urren botën”. Ai shpreson që artistët në mbarë botën të bashkohen për të mbështetur teatrin. Për momentin, pavarësisht rreziqeve dhe rraskapitjes mendore, Tobasi, Odeh dhe shumë punonjës të tjerë kanë premtuar se do të vazhdojnë aktivitetet për fëmijët në çdo mënyrë që munden. “Të gjithë duhet të kenë një vend të sigurt për t’u shprehur”, tha Odeh. “Edhe pse si duket, në Jenin, nuk ka një të tillë”. (Al Jazeera)


Huazuar nga Koha.mk

Back to top button