fbpx
Aktualitet dhe Lajme

NATO: Rusia po intensifikon sulmet kibernetike

Share

Anëtarët e NATO-s janë “thellësisht të shqetësuar” për sulmet e fundit në Republikën Çeke, Estoni, Gjermani, Letoni, Lituani, Poloni dhe Britani, që sipas tyre vijnë nga Rusia, thanë zyrtarët e aleancës përmes një deklarate të enjten.

“Këto incidente janë pjesë e një fushate të intensifikuar të aktiviteteve që Rusia vazhdon t’i kryejë në të gjithë zonën euro-atlantike, përfshirë territorin e Aleancës dhe nëpërmjet grupeve që Moska i mbështet”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

Javët e fundit, shërbimet evropiane të sigurisë zbuluan një sërë aktivitetesh, që ata i quajtën spiunazh rus, duke përfshirë një rrjet spiunësh që drejtonin një media online, të mbyllur nga hetuesit çekë, një veprim që nxiti autoritetet në shtetet e tjera të kryejnë hetime të ngjashme.

Mediat evropiane raportuan gjithashtu se një anëtar i partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dyshohet se kishte marrë para nga faqja e medias pro-ruse, një akuzë që politikani gjerman e mohon.

Vendet anëtare të NATO-s u zotuan që të “vazhdojnë të rrisin” qëndrueshmërinë e tyre kundër sulmeve të tilla dhe të përdorin mjetet e tyre për të “kontestuar dhe për t’iu kundërvënë veprimeve hibride ruse”.

“Veprimet e Rusisë nuk do t’i pengojnë aleatët që të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën”, thuhet më tej në deklaratën e NATOs.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button