Morën me forcë në automjet 19 vjeçarin dhe e mbyllën në një garazh në Rrëshen, arrestohen dy të rinj
Mateos Brozi dhe Ergys Tusha janë arrestuar nga policia e Mirditës pasi akuzohen se morën me forcë në automjet, një 19-vjeçar dhe e mbajtën në garazhin e një pallati për t’i vjedhur paratë.
“Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 19 vjeç, se ishte marrë me forcë në automjet, nga 2 shtetas të tjerë, të cilët për t’i marrë paratë, e kishin mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në garazhin e mbyllur të një pallati në Rrëshen, dhe më pas e kishin lënë në rrugë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për të identifikuar dhe arrestuar përgjegjësit”, njofton policia.
Në kuadër të operacionit “Telefonata” u bë arrestimi i shtetasve Mateos Brozi, 20 vjeç, banues në Rrëshen dhe Ergys Tusha, 19 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, u bë e mundur gjetja e shumës së parave të vjedhura me dhunë, 220 000 lekë, e cila u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Audi A4”, me të cilin u mor me forcë 19-vjeçari, dhe me 2 celularët e të arrestuarve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Vjedhja me dhunë”, të kryera në bashkëpunim.