Mijëra fëmijë do të evakuohen nga qyteti kufitar të Rusisë
Rreth 9.000 fëmijë do të evakuohen prej qytetit rus Belgorod dhe rajonit përreth, pas sulmeve, për të cilat autoritetet ruse janë duke e fajësuar Ukrainën.
Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se tre persona, përfshirë një fëmijë, janë plagosur në sulmet e fundit, derisa një pjesë e rajonit – që është në kufi me Ukrainën – është pa rrymë.
Ai ka thënë se nga sulmet e ditëve të fundit, në total janë vrarë 16 persona dhe 98 tjerë janë plagosur.
Ky njoftim është bërë i ditur pas sulmeve që kanë detyruar qytetin që të mbyllet.
Nxënësit në Belgorod janë urdhëruar që të mos marrin pjesë në shkollë të hënën dhe të martën.
Qendrat tregtare në Belgorod kanë qenë të mbyllura të dielën dhe të hënën.
Urdhrat e rinj të evakuimit prekin shumë fshatra afër Belgorodit dhe shumë fshatra në pjesë tjera të rajonit, ka thënë Gladkov, në një mbledhje të partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar.
Grupi i parë me 1.200 fëmijë do të evakuohet të premten.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se forcat e saj kanë rrëzuar ato që kanë qenë nëntë predha mbi Belogrod të martën.
Ndërkohë, në zonat kufitare ukrainase vazhdon të raportohet për sulme ruse dhe kërkesa për evakuime.
Më herët gjatë javës, autoritetet në rajonin verilindor Sumoj, kanë thënë që më shumë se 150 persona janë detyruar që të ikin, për shkak të bombardimeve intensive.
Presidenti rus, Vladimir Putin e ka akuzuar më parë Kievin për nisje të sulmeve në rajonet ruse për të dëmtuar procesin zgjedhor, pas të cilit e ka shpallur fitoren për mandatin e pestë presidencial.
Zgjedhjet konsiderohen prej Perëndimit si, as të lira, as të drejta.