Aktualitet dhe LajmeLajmi i funditPërditshmëriPersonalitetePolitikëShqipëria

Meta sërish “përballë” Kushtetueses, a do të shkarkohet sot presidenti?

Share

Presidenti Ilir Meta do të jetë sërish ditën e sotme para Gjykatës Kushtetuese, e cila do të mblidhet këtë të hënë për të shqyrtuar çështjen e lënë pezull të shkarkimit të tij.

Seanca e tretë për shkarkimin e kreut të shtetit në Kushtetuese do të nisë në orën 10:00. Ndërkaq në seancën e fundit, përfaqësuesit ligjor të Presidentit u mbrojtën duke kundërshtuar të gjithë procedurën që ishte ndjekur nga Parlamenti në legjislaturën IX për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit.

Sipas tyre, Presidentit të Republikës iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor. Ndërsa një tjetër moment ku u ndal mbrojtja e Presidentit ishte fakti se Kuvendi nuk kishte legjitimitet për të kryer hetimin.

Përfaqësuesit e kreut të shtetit cituan përcaktimin e Kushtetutës se Kuvendi nuk mund të kryejë asnjë hetim parlamentar në 4 muajt e fundit të mbarimit të mandatit. Ndërkohë, pas pretendimeve të Presidencës, trupa gjykuese e Gjykatës Kushtetuese drejtoi 70 pyetje ndaj tyre.

Ndërkohë për të dhënë përgjigje këtyre pyetjeve juristët e presidencës kanë kërkuar 48 orë kohë./albeu.com/

Një kafe nga ju!

Back to top button