Më shumë se 70 ish-pjesëmarrës të Eurovisionit kërkojnë përjashtimin e Izraelit nga gara e sivjetme

Më shumë se 70 artistë dhe muzikantë, të cilët dikur kanë përfaqësuar vendet e tyre në Eurovision, kanë nënshkruar një letër të hapur ku kërkojnë përjashtimin e Izraelit dhe transmetuesit të tij kombëtar, KAN, nga edicioni i këtij viti i Eurovision Song Contest, që pritet të mbahet javën e ardhshme.
Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision ka qenë temë e debatit që nga viti i kaluar, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme. Tani, një letër e drejtuar Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) është nënshkruar nga 72 muzikantë dhe performues të lidhur me këtë festival, shkruan Euronews.
Në këtë letër, organizatorëve u bëhet thirrje që ta përjashtojnë Izraelin dhe transmetuesin e tij publik për shkak të, siç thuhet në dokument, “gjenocidit kundër palestinezëve në Gaza dhe regjimit shumëvjeçar të aparteidit dhe pushtimit ushtarak ndaj të gjithë popullit palestinez”.
Ndër nënshkruesit e letrës janë edhe fitues të mëhershëm të Eurovision-it si Charlie McGettigan, Salvador Sobral dhe Fernando Tordo, si dhe këngëtarja britanike Mae Muller, këngëtarja franceze La Zarra, përfaqësuesja e dikurshme e Turqisë Hadise Açıkgöz, dhe konkurrentët e vitit të kaluar Ásdís María dhe GÅTE, të cilët morën pjesë në atë që letra e përshkruan si “edicioni më i politizuar, më kaotik dhe më i pakëndshëm në historinë e Eurovision-it”.
Eurovision 2024 është shoqëruar nga polemika të shumta për shkak të përfshirjes së Izraelit në garë, në një kohë kur konflikti në Gaza vazhdon. Kritikët kanë akuzuar EBU-në për hipokrizi, duke kujtuar përjashtimin e Rusisë në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa Izraelit iu lejua të garojë pavarësisht situatës.
Vitin e kaluar, Izraeli rrezikoi të tërhiqej nga gara pasi këngëtares së tij iu kërkua të ndryshonte tekstin e këngës “October Rain”, për shkak të aludimeve të dyshuara ndaj sulmeve të 7 tetorit. Po ashtu, KAN u kritikua rëndë për sjelljen ndaj konkurrentëve të tjerë, veçanërisht ndaj përfaqësueses së Irlandës, Bambie Thug, e cila e akuzoi rrjetin izraelit për “nxitje dhune” ndaj saj.