Me lutje në zemër e qirinj në duar, qytetarët përmbyllin pelegrinazhin e 13 të martave në Kishën e Shna Ndout

Me lutje në zemër, qirinj të ndezur në duar dhe shpresë në sy, mijëra besimtarë janë ngjitur sërish drejt Kishës së Shna Ndout në Laç, për të përmbyllur një nga traditat më të vjetra dhe më të ndjera të besimit katolik në vend pelegrinazhin e 13 të martave.
Që prej mesit të marsit, çdo të martë, besimtarë nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga diaspora, kanë përshkuar rrugën drejt këtij vendi të shenjtë, duke kërkuar ndihmën, ndërmjetësimin dhe bekimin e shenjtit të njohur për mrekullitë e tij, Shna Ndout.
Çdo hap i bërë, çdo qiri i ndezur, çdo pëshpëritje, ka qenë një dëshmi e fortë e besimit dhe e përkushtimit ndaj shenjtit, raporton korrespondentja e Top Channel Brixhilda Deda.
Aroma e qirinjve, kambanat që bien lehtë në sfond dhe zërat e heshtur të lutjeve kanë shndërruar malin e Laçit në një vend paqeje dhe reflektimi.