Aktualitet dhe Lajme

Marrëveshja Rama-Meloni/ Kampet e refugjatëve funksionale që nga 20 maji, qeveria italiane publikon tenderin 34 mln euro…

Share

Shteti italian planifikon që kampet e refugjatëve që do të hapen në Shqipëri, të jenë funksionale që nga 20 maji.

Ministria e Brendshme e Italisë ka publikuar tenderin për menaxhimin e tre ambienteve të pritjes së emigrantëve që do të hapen në Shqipëri, pas marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare në fillim të nëntorit.
Kjo është një procedurë gjatë të cilës shteti identifikon organizatat e përshtatshme për të menaxhuar strukturat, ndërkohë që organizatave u kërkohet të paraqesin një ofertë deri më 28 mars.

Të tre strukturat do të mund të strehojnë pak më shumë se një mijë persona në të njëjtën kohë dhe mes tyre nuk mund të ketë të mitur, gra shtatzëna dhe persona të tjerë të konsideruar të pambrojtur.

Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit.

Dy të tjerat do të vendosen në Gjadër. Një qendër do t’i kushtohet konstatimit të parakushteve për njohjen e mbrojtjes ndërkombëtare dhe do të jetë në gjendje të akomodojë maksimumi 880 persona, ndërsa struktura e dytë është një qendër paraburgimi për riatdhesim me një kapacitet maksimal prej 144 personash.
Qeveria italiane synon që në kampet që do të hapen në Shqipëri, do të dërgohen personat e shpëtuar nga autoritetet në det, pra jo ata të cilët shpëtohen nga organizatat jo qeveritare.

Mediat italiane raportojnë se vlera e projektit parashikohet të jetë 34 milionë euro. Vlerë kjo të cilës duhet t’i shtohen rimbursimet për shërbimet e transportit, shërbimet komunale, grumbullimin e mbetjeve, mirëmbajtjen e zakonshme dhe të jashtëzakonshme, lidhjen Wi-Fi dhe kujdesin shëndetësor.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button