Aktualitet dhe Lajme

Marrëveshja për emigrantët/Rama për RAI3: Bëmë detyrën tonë si qytetarë europianë, e neveritshme si e trajtoni këtë gjë

Share

Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëveshjen për emigrantët që ka nënshkruar me homologen e tij italiane Giorgia Meloni.

Në një intervistë për emisionin “Report” në Rai 3, Rama e cilësi si të neveritshme faktin sesi emisioni italian e lidhi qeverinë shqiptare me trafikun e narkotikëve dhe jo faktin që trajtoi problemin me emigrantët.

“Tani jeni këtu në shtëpinë time. Qëllimi ishte sikur donit të bënit një emision për qendrat e pritjes së emigrantëve dhe kjo është e drejta juaj e shenjtë, që ju të kein opinonin dhe të informoni publikun tuaj, por ta lidhësh këtë histori italiane tuajën me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, personazhe mjaft të errëta të Shqipërisë, ishte i qartë mesazhi që marrëveshja bëhej midis një qeverie italiane, që nuk e vlerësoni dhe midis një qeverie në Shqipëri me personazhe të lidhur me trafikun e narkotikëve. Kjo ishte pjesa e neveritshme, jo fakti që ju trajtoni në programin tuaj, problemin sesi do të administrohet kjo marrëveshje. E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë kërkesë miqësore nga Giorgia”, theksoi ai.

Kryeministri Edi Rama më tej shtoi: “Nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Pra, nuk është një që mbërrin aty dhe Italisë i duhet ta menaxhojë vetë; është dikush që mbërrin në Europë dhe Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Për më tepër, ka një dispozitiv të rëndësishëm të legjislacionit europian, që është rishpërndarja dhe që, qartësisht, nuk ka funksionuar.

Në dëm të Italisë. Ndërkohë ne nuk jemi një vend që është pjesë e BE-së, ne jemi pjesë e E-së, pra jemi vend europian e gjendemi në anën tjetër të detit nga Italia dhe, thjesht, kemi marrë përsipër një përgjegjësi si europianë, në kuptimin që, ju keni nevojë që ne të kontribuojmë e të marrim pjesë. Nëse këtë gjë do ta kishte bërë Sllovakia, Polonia apo kushdo tjetër që është në Bashkimin Europian, asgjë nuk do të ishte thënë, por fakti që Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, ngre gjithë këtë zhurmë dhe, më pas, këtë interpretim, do të thoja subjektiv, të faktit”.


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button