Manja-opozitës: Keni bërë sjellje të turpshme me krerët e institucioneve të drejtësisë
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja iu drejtua opozitës në Kuvend pas raportimit të krerëve të institucioneve të drejtësisë. Manja iu drejtua opozitës duke thënë se sjellja e tyre ishte e turpshme. Ai shtoi se opozita sot ka bërë rolin e hetuesit dhe gjyqtarit, por jo atë që i takon.
“Në fakt pas kësaj seance të gjatë dhe vapës nuk di dhe nga t’ia nisësh më parë sepse kjo sallë sot ishte një sallë gjyqi. Ishte një sallë gjyqi sepse secili prej jush mori rolin e hetuesit, e oficerit të BKH-së, prokurorit, gjyqtarit, mbajtët edhe mbajtët dhe pretencën dhe akuzën dhatë dhe vendimet ndërkohë që vetëm atë që ju takon të bëni, deputetin, nuk e bëtë.
Sot është një nga seancat më të rëndësishme të këtij Kuvendi, sepse është dita kur takohen dy pushtete, ku drejtësia vjen dhe raporton për veprimtarinë e vet dhe Kuvendi i Shqipërisë merr përgjigje që ka dhënë për rezolutat dhe jep mbështetjen për organet e drejtësisës. Krerët e institucioneve të drejtësisë bënë mirë që ikën sepse sjellja që ju bëtë me ta në këtë sallë është një sjellje e turpshme”, tha Manja.