Aktualitet dhe Lajme

Manja krah kryeprokurorëve Çela e Dumani: Qeveria angazhohet që të keni të gjithë kushtet në luftën kundër krimit!

Share

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka marrë pjesë këtë të hënë në një takim të thirrur nga kryeprokurori Olsian Çela në Prokurorinë e Përgjithshme, për të prezantuar prioritetet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2025. I pranishëm ka qenë dhe Altin Dumani i SPAK.

“Në zemër të këtyre prioriteteve është mbështetja e fuqishme për një sistem prokurorie të pavarur, hetime të pavarura, pa ndikim dhe pa kompromis, në çdo nivel të prokurorisë”, shkruan ministri socialist.

Ulsi Manja është shprehur në mbledhjen me dy drejtuesit më të lartë të akuzës, se Qeveria shqiptare angazhohet për të garantuar kushte optimale që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të vendosur.

Rekomandimet që ai ka lënë si ministër i Drejtësisë dhe përfaqësues i Qeverisë kanë qenë të qarta, më shumë efikasitet në goditjen ndaj krimit, më shumë transparencë, më shumë përgjegjshmëri dhe mbi të gjitha, më shumë besim nga qytetarët.

“Ne qëndrojmë krah drejtësisë, jo për ta drejtuar atë, por për ta fuqizuar akoma më shumë pavarësinë e saj— që prokurorët të ndihen të lirë të bëjnë detyrën e tyre, dhe krimi të mos ndiejë më asnjë hapësirë për të vepruar”, ka theksuar Ulsi Manja.

Prokuroria e Përgjithshme thotë se në mbështetje të ligjit, ai ka prezantuar rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2025, në prani të dy kryeprokurorëve Çela e Dumani, si dhe drejtuesve të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në vend.

Ato fokusoheshin në tetë fusha kryesore si, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, forcimi i luftës kundër kriminalitetit, inegriteti, transparenca dhe përgjegjshmëria, eficienca dhe ngritja e kapaciteteve institucionale dhe përdorimi i metodave bashkëkohore të hetimit.

Gjithashtu, si rekomandimet prioritare janë prezantuar dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button