Aktualitet dhe Lajme

Mandati i Xhaçkës, Bardhi: Kallëzim penal ndaj përgjegjësve që penguan ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Share

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot ndaj vendimit të Gjyaktës Kushtetuese që urdhëroi Kuvendin që t’i dërgojë mocionin e paraqitur nga opozita për shqyrtimin e mandatit të deputetes së PS-së, Olta Xhaçka.

Bardhi u shpreh se kryeministri Edi Rama keqpërdori deputetët e tij për t’i dhënë mbrojtje politike bashkëpunëtores së tij të afërt Olta Xhaçka, duke vendosur, sipas tij, “për herë të parë standardin e moszbatimit të një vendimi konkret të Gjykatës Kushtetuese”.
“Pasi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e bëri ministren e tij investitore strategjike, në një pronë publike të grabitur me dokumente të falsifikuara, Edi Rama i dha asaj edhe statusin “e paprekshme” nga drejtësia”, u shpreh Bardhi.

Bardhi theksoi se, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe deputetët e opozitës u rreshtuan edhe një herë në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe interesit publik.

Ndërkohë, shtoi ai, “u provua edhe njëherë se Edi Rama dhe deputetët e tij u rreshtuan në krah të interesit privat të oborrit të Edi Ramës, që pasuritë publike i kanë shndërruar në plaçkë për veten e tyre”.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është edhe një aktakuzë penale për të gjithë deputetët që me vetëdije dhe për motive politike penguan ekzekutimin e vendimit të gjykatës”, u shpreh Bardhi.

Ai bëri të ditur se, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, po përgatit kallëzim penal ndaj të gjithë përgjegjësve që për më shumë se 1 vit kanë penguar ekzekutimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button