Lulzim Basha akuzon Berishën: Trishtim që pas tre vitesh dëgjoj përçartjet e tua, të kërkova të largohesh dhe të mos vdesësh politikisht
Politikani demokrat Lulzim Basha ka reaguar sërish për betejën e Sali Berishës me drejtësinë dhe atë që ai e quan “pakt” me Edi Ramën, për të mbajtur në pushtet njëri-tjetrin. Ai thotë se Berisha ka marrë peng PD për hallin e tij personal.
“Sot nuk ka shqiptar që nuk e di dhe nuk e pa se Sali Berisha e donte PD për ta shndërruar në mburojë të tij përballë drejtësisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Asnjë pikë dinjiteti nuk i ka mbetur atij që i ka shitur zgjedhjet Edi Ramës në këmbim të vulës”, shkruan Basha.
Më tej, politikani demokrat akuzon Sali Berishën se bashkoi votat me kryeministrin Edi Rama për të mbyllur listat dhe për t’i dhënë atij më shumë pushtet.
Shënimi i plotë i Lulzim Bashës:
Trishtim që pas tre vitesh mashtrime e dështime të vazhdosh të dëgjosh përçartjet e Sali Berishës. Ajo që i kam kërkuar tre vite më parë është të largohet me dinjitet dhe të mos “vdesë” politikisht me turp.
Ai qartazi ka zgjedhur këtë të dytën. Por mua nuk më shqetëson më halli personal i Sali Berishës, por fakti se për hallin e tij ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po minon opozitën duke i shërbyer Edi Ramës. Siç e kam thënë tre vite më parë, koha është ilaçi më i mirë dhe mbart të vërtetën më të madhe.
Sot nuk ka shqiptar që nuk e di dhe nuk e pa se Sali Berisha e donte PD për ta shndërruar në mburojë të tij përballë drejtësisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Asnjë pikë dinjiteti nuk i ka mbetur atij që i ka shitur zgjedhjet Edi Ramës në këmbim të vulës, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të amnistuar të korruptuarit e Edi Ramës ndërkohë që mban në ndjekje penale protestuesit demokratë, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të mbyllur listat, duke i dhënë më shumë pushtet Edi Ramës.
Shqipëria meriton më shumë se kooperativa e bashkuar Rama-Berisha, që punojnë vetëm për interesat e tyre, kundër interesave të Shqipërisë.