Less: Asociacioni, e vetmja zgjidhje – Trump do të kthehet me idenë e ndarjes, tash me mbështetjen e europianëve
Marrëveshja e fillimvitit 2023 në të vërtetë nuk ka zgjidhur asgjë mes Kosovës dhe Serbisë, thotë ish-diplomati britanik, Timothy Less në një intervistë me shkrim për Gazetën Express.
“Sa i përket zgjidhjes eventuale, perspektivat po zvogëlohen”. Marrëdhëniet që do të duhej të normalizoheshin pas atij dakordimi që konsiderohej historik, janë bërë më antagoniste, thotë Less, dhe rreziku i konfliktit të hapur është më i madh tash se sa ishte në fillim të vitit paraprak.
Less thotë se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti “ka sjellë sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe mundësinë e një ndërhyrjeje të armatosur nga Serbia”. Mënyrën e vetme për t’i shmangur këto, ai e sheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por nuk beson se pala kosovare do ta bëjë këtë. Përmend tri arsye se pse ai nuk sheh shumë mundësi se do të ketë përshpejtim të zbatimit të marrëveshjes këtë vit.
“Objektivi përfundimtar i Serbisë, siç them unë, është ta ndajë Kosovën përgjatë lumit Ibër dhe një Asociacion me një territor të demarkuar do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në atë drejtim”.
Studiuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it parashikon se Serbia do të presë që politika ndërkombëtare të kthehet në favor të saj. Sipas Less, kjo është shumë e mundur. Ai thotë se në fund të këtij viti Kosova “do të jetë në një pozitë më të keqe” pasi paraprakisht zgjedhjet europiane dhe ato në SHBA “do ta favorizojnë Serbinë”. Nëse sondazhet janë të sakta, Less thotë se Donald Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë së bashku me idenë e ripërcaktimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në BE do të ketë ndryshime që do ta bënin të gjerë mbështetjen në kontient për këtë opsion. Serbia, siç thotë ai, do të jetë më e lirë për ta shtyrë këtë, “nëse është e nevojshme, me mjete shtrënguese”, duke pasur parasysh se s’ka shumë rrezik se do të sanksionohej për këtë.
Intervista e plotë:
Gazeta Express: Si ishte viti 2023 për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar?
Timothy Less: Është një pamje e përzier. Nga ana e sipërme, BE-ja i ka thënë Serbisë se duhet ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe të pajtohet me një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në një afat më të gjatë – domethënë ta njohë Kosovën. Ndërkohë, Këshilli i Europës miratoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim, një hap i vogël drejt qëllimit të saj për pavarësi të plotë, dhe Parlamenti Europian miratoi heqjen e regjimit të vizave të BE-së, të cilin Kosova e ka dëshiruar prej kohësh.
Nga ana negative, negociatorët e BE-së kanë këmbëngulur se Kosova duhet t’u japë autonomi serbëve dhe BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Kosovës, duke përfshirë pezullimin e financimit dhe kontakteve zyrtare, për refuzimin për ta bërë këtë, dhe SHBA-ja ka pezulluar pjesëmarrjen në stërvitjet e NATO-s. Ndërkohë, Kosova është në një gjendje konflikti më aktiv me Serbinë, e cila tani në dukje po armatos dhe trajnon njësitë paraushtarake në veri të Kosovës.
Express: A ia doli Qeveria të bënte mirë për Kosovën dhe çfarë mund të bënte më mirë? Çfarë mund të shmangej?
Less: Kjo varet nga perspektiva juaj. Qeveria ka zbutur me sukses presionin për ta themeluar Asociacionin e Komunave Serbe dhe ka bërë mjaftueshëm presion mbi serbët e Kosovës që një numër i madh po largohen. Në të njëjtën kohë, siç them unë, qeveria ka sjellë sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe mundësinë e një ndërhyrjeje të armatosur nga Serbia, të cilat nuk mund të llogariten si pozitive.
Mënyra për t’i shmangur këto rezultate negative do të ishte bërja e lëshimeve ndaj BE-së për çështjen e autonomisë së serbëve dhe përfundimi i bastisjeve të policisë në veri të Kosovës, të cilat serbët i perceptojnë si ngacmim. Megjithatë, duke qenë se qeveria i sheh lëvizje të tilla si në kundërshtim me interesat themelore të Kosovës, nuk mendoj se do ta ndryshojë qëndrimin e saj.
Express: Marrëveshja e fillimvitit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk u zbatua ashtu siç deshën ndërkombëtarët. A u arrit diçka me të, në funksion të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve?
Less: Jo në të vërtetë, jo. Ka pasur disa përparime në çështjet e rendit të dytë si personat e zhdukur, por të dyja palët janë ende shumë larg për çështjet kyçe të autonomisë për serbët e Kosovës dhe njohjen e Kosovës nga Serbia. Sa i përket zgjidhjes eventuale, perspektivat po zvogëlohen. Marrëdhëniet midis dy palëve janë bërë gjithnjë e më antagoniste dhe rreziku i konfliktit të hapur është më i lartë tani se sa ishte në fillim të vitit 2023.
Express: A e sheh Kosova veten në pozicion më të mirë në dialog tani, apo ishte më mirë në fillim të vitit 2023?
Less: Kosova është në një pozitë më të keqe se në fillim të vitit 2023 për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Serbinë dhe tensioneve në marrëdhëniet e saj me BE-në dhe Serbinë. Paralajmërimi është se, për të njëjtat arsye, Serbia është gjithashtu në një pozitë më të keqe dhe marrëdhëniet e saj me BE-në ka të ngjarë të përkeqësohen pas zgjedhjeve për të cilat vëzhguesit europianë kanë thënë se ishin të padrejta.
Express: A mund të përshpejtohet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?
Less: Asgjë nuk është e pamundur, por nuk shoh shumë mundësi për një përshpejtim për tri arsye. Së pari dhe më e rëndësishmja, asnjëra palë nuk i pranon kushtet e marrëveshjes. Është veçanërisht e keqe nga perspektiva e Kosovës, së cilës i është kërkuar që t’ua lëshojë autonominë serbëve pa ndonjë garanci përkatëse për njohje nga Serbia. Por Serbia gjithashtu nuk është e prirur për marrëveshjen, sepse qëllimi i saj është ta ndajë Kosovën dhe ta integrojë veriun në vetë Serbinë, dhe marrëveshja u ofron vetëm autonomi serbëve të Kosovës.
Arsyeja e dytë, siç kanë dëshmuar ngjarjet e vitit 2023, është se Perëndimi nuk ka mjete efektive për ta detyruar as Serbinë, as Kosovën ta nënshkruajnë një marrëveshje të cilën ata nuk duan ta nënshkruajnë. Ka sanksionuar Kosovën por kjo nuk ka funksionuar. Ka thënë se Serbia dhe Kosova nuk mund të anëtarësohen në BE pa marrëveshje, por kjo nuk ka funksionuar. Dhe ajo heziton ta sanksionojë Serbinë nga frika se mos e shtyn atë më afër Rusisë dhe Kinës, e kundërta e asaj që Perëndimi po përpiqet të arrijë.
Dhe arsyeja e tretë është se bisedimet po zhvillohen kundër një sfondi gjeopolitik në ndryshim, me fuqitë revizioniste që sfidojnë hapur hegjemoninë e Perëndimit. Rrjedhimisht, as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk kanë shumë kohë apo energji për t’u fokusuar në Ballkan, ndërsa Serbia në veçanti ka një nxitje të fortë për të luajtur për kohën në vend që të nënshkruajë ndonjë gjë tani, me shpresë që politika ndërkombëtare të kthehet në favor të saj.
Express: A konsideroni se krijimi i Asociacioni i komunave me shumicë serbe është sfida më e madhe e Kosovës këtë vit? Pra, a ju duket e arsyeshme kjo frika që mbizotëron në Kosovë nga ky asociacion?
Less: Është një sfidë për Kosovën në kuptimin që Perëndimi do të vazhdojë të shtyjë për themelimin e një Asociacioni të Komunave Serbe dhe se kjo mbart rreziqe të qarta. Objektivi përfundimtar i Serbisë, siç them unë, është ta ndajë Kosovën përgjatë lumit Ibër dhe një Asociacion me një territor të demarkuar do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në atë drejtim. Megjithatë, themelimi i Asociacionit do të krijonte gjithashtu një mundësi për Kosovën, sepse përgjegjësia do të ishte e Serbisë për të bërë një lëshim të madh, siç përcaktohet në marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, dhe një njohje në planin afatgjatë.
Express: Çfarë do t’ia hapte dyert Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare apo për njohjen prej pesë vendeve të BE-së?
Less: Kjo në fund të fundit varet nga njohja konsensuale e Serbisë për Kosovën. Pesë vendet e BE-së nuk kanë gjasa ta njohin atë në mungesë të njohjes nga Serbia për shkak të frikës së tyre të gjatë nga separatizmi. Dhe Rusia dhe Kina nuk kanë gjasa ta pranojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, nëse Serbia nuk pranon dhe e bën këtë vullnetarisht dhe jo nën presionin perëndimor. Përndryshe, Rusia dhe Kina ende mund ta bllokojnë pranimin e Kosovës në OKB, duke pretenduar se pavarësia e saj ishte e detyruar dhe për këtë arsye e paligjshme.
Express: A është e vështirë të parashikohet se ku do të jetë Kosova në fund të vitit 2024?
Less: Mendoj se Kosova do të jetë në një pozitë më të keqe në fund të vitit 2024 se tani. BE-ja dhe SHBA-ja janë të prirura të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin në muajt e parë të vitit dhe, në masën që Kosova reziston, do të përballet me presion të mëtejshëm ndërkombëtar.
Kjo do të pasohet nga një valë zgjedhjesh që do ta favorizojnë Serbinë, duke përfshirë zgjedhjet për Parlamentin Europian që do ta favorizojnë partitë nacionaliste-konservatore, zgjedhjet në Rusi që do ta kthejnë President Putinin dhe zgjedhjet në SHBA, të cilat, nëse sondazhet janë të sakta, do ta shohin Donald Trumpin të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ekziston gjithashtu mundësia e një qeverie të re të djathtë në Holandë dhe një kolaps i qeverisë në Gjermani, me kalimin e pushtetit në të djathtën politike.
Kjo nënkupton një ringjallje të ndarjes që ne e njohim që nga mandati i tij i fundit si zgjidhja e Donald Trump për mosmarrëveshjen e Kosovës, këtë herë me mbështetjen e gjerë të europianëve. Ndërkohë, Serbia do të ketë më shumë liri për të shtyrë për këtë rezultat, nëse është e nevojshme, me mjete shtrënguese, duke pasur parasysh rrezikun në rënie që vendi do të sanksionohej për këtë. /Gazeta Express/