Aktualitet dhe Lajme

Kryetarja e Bashkisë Kurbin dosjet ‘mal’ në SPAK/ Hoti: Abuzime me rindërtimin, vjedhje të pronave dhe korrupsion

Share

Deputetja e Partisë Demokratike Elda Hoti në një deklaratë për mediat ka hedhur akuza ndaj kryetares së Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.

Hoti u shpreh se Majlinda Cara ka një mal me dosje në SPAK për disa vepra penale si shpërdorim detyre, abuzime me tenderët apo dhe grabitje të pronës.

Jam në këtë konferencë për shtyp për t’i bërë publike se  kryetares së Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara i janë bërë mal dosjet në SPAK, për disa vepra penale nga shpërdorimi i detyrës, abuzime me tenderat e deri edhe në grabitjen e pronave të qytetarëve. 

Jam sot këtu si deputete e qarkut Lezhë, që t’i kërkoj institucioneve të drejtesisë të veprojnë pa humbur kohë. Çdo ditë që kalon dhe drejtësia nuk vepron, kostoja shkon tek qytetarët e Kurbinit.  Ndërsa dosjet flenë nëpër sirtaret e SPAK, janë qytetaret e Kurbinit që çdo ditë paguajnë faturat e korrupsionit të Majlinda Carës dhe një sekti rreth saj.

E përsëris, mbi Majlinda Carën rëndojnë akuza të rënda për korrupsion, abuzimet me fondin e rindërtimit, tenderat që i komandon, deri në përfshirje për grabitjen e pronave të qytetarëve.

Në qoftë se institucionet do të vepronin, ajo sot nuk do të ishte ne karrigen e kryetares se bashkisë, por do të ishte në karrigen e të pandehurës, duke u përballur me drejtësinë.

Koha është tani, çdo ditë që kalon është vonë.

Meqënëse mëkëmbësi i saj Edi Rama, nuk ka informacion, po njoftojmë se po i hahen kumbulla pas shpine.

Meqënëse ai nuk “e fal” korrupsionin, po i themi që Bashkia Kurbinit është kthyer në vatër abuzimi. 

Kurbini është në varfëri të skajshme dhe Rilindja është aq e pangopur për pará sa u janë errur sytë dhe u marrin edhe qindarkën e fundit.

Nëse drejtësia do të vepronte sot Majlinda Cara nuk do të drejtonte Bashkinë e vjedhjes.

Shqipëria ndodhet në kthetrat e diktaturës, është detyrë e çdo qytetari dhe e opozitës t’i dalë përballë këtij regjimi e cila ka kapur çdo institucion.

Propaganda dhe manipulimi që u bëhet qytetarëve duhet të marrë fund.

Partia Demokratike, unë si deputete e qarkut Lezhë, do të vijojmë të bëjmë publike çdo shkelje të Majlinda Carës derisa ajo të japë llogari para drejtësisë se ku kanë shkuar paratë e kurbinasve të lënë në mëshirë të fatit.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button