Aktualitet dhe Lajme

Kryeministri hungarez në linjë të kundërt me BE dhe NATO-n: Ukraina nuk do ta fitojë luftën

Share

Kryeministri hungarez Viktor Orban tha sot se Ukraina nuk mund ta fitojë luftën kundër Rusisë dhe mbrojti negociatat me Moskën për t’i dhënë fund konfliktit.

Udhëheqësi nacionalist, i cili refuzon të ndihmojë ushtarakisht Ukrainën fqinje, përsëriti thirrjet e tij për një armëpushim.

“Është e qartë se zgjidhja ushtarake nuk po shkon përpara”, tha ai nga Katari ku po merrte pjesë në një forum ekonomik, duke vlerësuar se pushtimi rus i vitit 2022 është rezultat i “dështimit të diplomacisë”.

“Nëse shikojmë realitetin, shifrat, kontekstin dhe faktin që NATO nuk është gati të dërgojë trupa, është e qartë se nuk do të ketë fitore për ukrainasit në fushën e betejës. Ky është qëndrimi im”, tha Orban.

Kryeministri hungarez, i cili mban lidhje me Kremlinin, nuk e ka vizituar Kievin.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, konfirmoi sot se Hungaria po refuzon të lëshojë një paketë të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Për Orban, një marrëveshje e re e sigurisë evropiane duhet të negociohet me Moskën pas një armëpushimi.

“Si shtet, Ukraina është sigurisht shumë e rëndësishme, por në terma afatgjatë, nga pikëpamja strategjike, ajo që është në rrezik është siguria e ardhshme e Evropës”, tha kryeministri hungarez.

“Është e qartë se pa SHBA, nuk ka arkitekturë sigurie për Evropën. Dhe kjo luftë nuk do të mund të ndalet nëse rusët nuk arrijnë një marrëveshje me Uashingtonin”, shtoi ai.

Hungaria, e cila mbështetet tek Rusia për rreth 50 për qind të nevojave të saj energjetike, po negocion një marrëveshje importi gazi me Katarin, tha Orban, duke shpresuar se dërgesat mund të fillojnë në vitin 2026.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button