Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci do të dorëhiqet?! Ja si reagon …
Pasditen e të premtes, (1 Nëntor 2024), kryetari socialist i bashkisë Shkodër, Benet Beci, u thirr në SPAK. Pas daljes gazetarët e pyetën nëse ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme te kryeministri Rama dhe përgjigjja ishte: Për këtë çështje do të flasë në momentin e duhur.
Kjo përgjigje e “çuditshme” duke mos mohuar dorëheqjen kur vetëm një vit e gjysmë më parë fitoi për herë të parë pas 34 viteve nën siglën e PS, bastionin e demokratëve bashkinë e Shkodrës, ka rënë keq në rrjetën e SPAK.
Gjithçka duket se ka të bëjë me një hetim gati sekret për mediet nga SPAK ndaj tij.
Mësohet se Becit ditën e premte në Prokurorinë e Posaçme i është komunikuar procedimi penal për veprën e korrupsionit, gjatë kohës që ka qenë në krye të Fondit Shqiptar i Zhvillimit të cilin e ka drejtuar që në kohën e qeverisë Berisha dhe në vazhdim në qeveritë Rama, deri sa u përfshi në politikë duke kandiduar dhe zgjedhur si kryebashkiak i socialistëve në qytetin e Shkodrës.
Gjithashtu mësohet se është dita e nesërme, (E martë 5 Nëntor), kur Beci do të njoftojë zyrtarisht dorëheqjen e parevokushme. Po brenda këtyre ditëve pritet edhe masa e SPAK ndaj Becit, e cila rrezikon deri në arrestim.
Ndërkohë, Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ironizon shkrimet për dorëheqjen e tij nga detyra, pas paraqitjes në SPAK dhe se tashmë është nën hetim.
Ai thotë se do të dorëhiqet nga Bashkia për t’u zgjedhur president i SHBA nesër.
“Nuk e di ku dreqin e kanë marrë vesh disa portale që kam dhënë dorëheqjen se ishte sekret deri nesër! Po tani që doli po e them edhe arsyen: Nesër zgjidhem unë President i Amerikës me kërkesë të dy kandidatëve të tjerë, meqë e tregova në Shkodër se jam i pëlqyeshëm për të dyja palët”, shkruan ai.