Aktualitet dhe Lajme

Kosova në NATO? Serbia shpall luftë të re: Të mos anëtarësohet në Asamble!

Share

Një luftë diplomatike në shumë fronte, është ajo që Serbia po zhvillon kundër Kosovës, në një shkelje të qartë të marrëveshjes së Ohrit. Teksa çon përpara fushatën e egër për të penguar anëtarësimi në Këshillin e Europës, paralelisht po lobon fuqishëm edhe kundër mundësisë që Kosova të marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Në prag të seancës lidhur me çështjen ditën e premte në Sofje, instituti ndërkombëtar për sigurinë me bazë në Beograd, i kërkoi organizatës që të mos ia japë këtë status Kosovës… Në deklaratën e cituar nga media serbe, N1, thuhet se një lëvizje e tillë do të ishte e dëmshme, përveçse një precedent i rrezikshëm.

“Të 9 anëtarët aktualë të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht dhe dhënia e të njëjtit status për parlamentin e Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm, do të kërcënonte integritetin dhe rolin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.”

Sipas institutit për sigurinë, Kosova është ende larg përmbushjes së të gjitha kushteve themelore për anëtarësim të mundshëm në NATO e kjo e s’kualifikon edhe nga anëtarësimi i asociuar në asamblenë parlamentare të kësaj organizate.

“Demokracia në Kosovë nuk është funksionale, institucionet e saj janë të ngarkuara me një nivel jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit dhe praktikave të tjera jodemokratike, dhe të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht ato serbe, nuk mbrohen.  Për më tepër, ata janë të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të dhunës dhe presionit të ashpër.”

Instituti serb shkon më tej, duke e përkufizuar Kosovën si kanal shtytës për krimin e organizuar ndërkufitar, kontrabandën dhe rekrutimin e ekstremistëve islamikë. Sipas tij, dhënia e statusit të ri, do të nxite me tej militarizimin e vendit, çka siç thotë është në kundërshtim me qëllimet e NATO-s dhe KFOR.

Asambleja parlamentare e NATO-s është një organizatë ndërqeveritare që bën bashkë ligjvënës nga vendet anëtare dhe gjithashtu shtete partnere, që kanë statusin anëtarë të asociuar.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button