Aktualitet dhe Lajme

Kosova do pranojë të dëbuarit nga SHBA, reagon Albin Kurti: Për një vit, vendi ynë do strehojë deri në 50 emigrantë

Share

Kryeministri Albin Kurti ka sqaruar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të pranuar emigrantët që do të dëbohen nga territori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai thotë se përgjatë një viti, do të priten deri ne 50 persona, të cilët plotësojnë dhe kriteret e sigurisë.

“Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”, shkruan ai.

Albin Kurti shton se si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, e ka përkthyer sot në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen e 262-të.

“U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik”, shkruan kryeministri i Kosovës, duke e vlerësuar SHBA si aleat të palëkundur të Kosovës.

Reagimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti:

Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, sot e përkthyem në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të.

Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button