
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, i drejtuar nga kryetari Ulsi Manja, ka miratuar dy projektligje me ndikim të drejtpërdrejtë në arsim dhe në sektorin e transportit rrugor. Në mbledhjen ku u aprovua edhe programi i punës për marsin 2026, fokusi kryesor ishte te korrigjimi i padrejtësive financiare për mësuesit dhe harmonizimi i legjislacionit rrugor me standardet e Bashkimit Evropian.
Korrigjim financiar për mijëra arsimtarë
Projektligji për ndryshimet në ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar”, i propozuar nga deputetja Evis Kushi dhe i diskutuar me përfaqësues të sindikatave, synon të zgjidhë problematikën e krijuar pas përshtatjes me sistemin e Bolonjës.
Ndryshimet ligjore të viteve 2023–2024 sollën ekuivalentimin e diplomave të mëparshme me ciklin “Bachelor”, çka ndikoi negativisht në shtesën e kualifikimit në pagë për një pjesë të mësuesve. Me draftin e ri, rikthehet trajtimi i mëparshëm financiar për të gjithë ata që janë punësuar para 1 marsit 2017, si edhe për mësuesit që zotërojnë “Master Profesional” me 60 ose 90 kredite.
Propozimet e paraqitura nga deputetja e Evis Kushi (PS) kanë në thelb trajtimin financiar të mësuesve që kanë përfunduar studimet para hyrjes në fuqi të Sistemit të Bolonjës.
Sipas saj, referuar legjislacionit aktual, diplomat e këtyre mësuesve nuk ekuivalentohen me 8 semestra ndërsa propozonte të njihen diplomat e tyre si studime me 8 semestra për efekte page, me qëllim trajtimin e barabartë financiar të kësaj kategorie mësuesish.
Nga Ministria e Arsimit u propozua gjithashtu që në ndryshime të përfshihet edhe rritja e moshës së fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat speciale, duke marrë parasysh se këta nxënës shpesh e fillojnë arsimin me vonesë krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre.
Sipas të dhënave zyrtare, nga kjo ndërhyrje do të përfitojnë 6,761 punonjës të sistemit arsimor parauniversitar.
Gjatë shqyrtimit, komisioni miratoi edhe dy amendamente shtesë: rregullimin e shërbimit pas-shkollor (after-school) dhe zgjatjen e qëndrimit në shkollat e specializuara për nxënësit me aftësi ndryshe.
Ndryshime në Kodin Rrugor sipas standardeve të BE-së
Komisioni miratoi gjithashtu projektligjin për ndryshime në Kodin Rrugor, të prezantuar nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj. Drafti synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me Direktivën Evropiane 96/53/BE.
Këto ndryshime përcaktojnë standarde të njëjta me vendet e Bashkimit Evropian për peshat dhe përmasat maksimale të mjeteve të transportit, si në trafikun e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Synimi kryesor është forcimi i sigurisë rrugore, mbrojtja e infrastrukturës nga dëmtimet që shkaktohen nga mbingarkesa, si dhe lehtësimi i qarkullimit të mallrave në kuadër të integrimit evropian.
Në rendin e ditës ishte parashikuar edhe shqyrtimi i projektligjit për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, por për shkak të nevojës për analizë më të thelluar, diskutimi i tij u shty për një mbledhje të ardhshme gjatë muajit mars.
Start News
