Klodiana Lala: Nuk është problemi opozita, por pushteti pa kufij që ka sot Edi Rama!
Gazetarja Klodiana Lala, ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku u diskutua për protestën e opozitës.
Lala tha se opozita është e dobët, por shqetësimi më i madh sot për shqiptarët duhet të jetë pushteti i pakontrolluar i Edi Ramës dhe korrupsioni galopant i qeverisë.
“Pashë sot një statistikë, vetëm në Universitetin e Gjirokastrës kishte më shumë pedagogë sesa student. Ky fakt mjafton për të kuptuar se Shqipëria është boshatisur.
Është e vështirë për të ndërgjegjsuar qytetarë, një pjesë ose kanë njerëzit në administratë, bukën e gojës e kanë të lidhur me administratën.
Kemi korrupsion në përmasa galopante. Kemi miliona për incenerator dhe nuk ka incenerator. Kemi 5D, ku zyrtarët e bashkisë merrnin paratë dhe bënin hotele. Kemi kompaninë e Berberit që merrte miliona. Kemi situatë problematike me sistemin e drejtësisë. Nuk po them se SPAK nuk ka dhënë rezultate, por drejtësia nuk është vetëm SPAK, janë mijëra qytetarë shqiptarë që zvarriten. Ka aq shumë problematika sa e shoh që nga njëra anë kemi opozitë të dobësuar, por kemi Edi Ramën me një pushtet të pakufizuar. Ka të gjithë votat për ta shpallur edhe monarki këtë vend.
Pra në këtë kuptim, kam kritika për mënyrën si po vepron opozita dhe duhet t’ju thotë qytetarëve, sepse pas ka lënë disa tabela të shkatërruara, policë të lënduar dhe qytetarë me probleme shëndetësore, kemi edhe ekspertë që po shohin vendet e ngjarjeve, por, a duhet të pranojmë si normalitet këtë qeverisje ku korrupsioni është i jashtëzakonshëm?
Opozita është e dobësuar dhe kjo duhet të na shqetësojë. Nuk duhet të pranojmë si gjë normale, një pushtet me të gjithë fuqinë në dorë”, tha Lala.