Lajme nga Dibra

Këshilli Bashkiak Bulqizë shtyn vendimin për dhënien me qira të tokës tek “Dani Energy” për ndërtim parku fotovoltaik

Share

Mbledhja e Këshillit Bashkiak Bulqizë – 29 janar 2024. Foto: Bulqizaime.al

Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka shtyrur për në mbledhjen e radhës dhënien me qira të 40 hektarëve të fondit pyjor dhe kullosor tek kompania “Dani Energy 2023”. Kjo sipërfaqe toke ndodhet në fshatin Okshatinë të njësisë administrative Shupenzë dhe synohet të përdoret për ndërtimin e një parku fotovoltaik me fuqi prej 40MW. Shkak për shtyrjen është bërë mos ndjekja e hapave ligjorë për marrjen me qira të tokës në pronësi të Bashkisë Bulqizë, por edhe mungesa e kryetares së bashkisë në këtë seancë të këshillit, si detyrim ligjor për këto projekt-vendime.

Referuar projekt-vendimit të paraqitur në Këshillin Bashkiak, rezulton se për këtë projekt është kryer dëgjesa publike në datën 2 dhjetor 2023, ndërsa kërkesa për dhënien me qira të tokës në bashki është bërë në datën 11 dhjetor 2023. Ishte kryetari i grupit të këshilltarëve të opozitës, Shaqir Manjani, që konstatoi mos përputhjen e shkresave: “Konsulta publike është bërë para se ju të bëni kërkesën në bashki. Fshati është përgjigjur para se të vijë kërkesa këtu. Ju doni të çoni në burg këshilltarët. Nuk e kuptoj pse i bëni me ngut këto punë. Pse nuk bëhet konsulta me banorët siç parashikohet në ligj.” tha Manjani.

Këshilltarët e opozitës ngritën shqetësimin edhe për faktin se një vendim i tillë bëhet pa prezencën e kryetares së Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri. Në rastet kur në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit janë çështje apo projektakte për shit-blerje, dhënie me qira të pronave, por edhe çështje të investimeve të bizneseve që do prodhojnë efekte zhvillimore të mëdha, Këshilli pranon shqyrtimin e këtyre çështjeve apo projektakteve vetëm nëse ato paraqiten dhe prezantohen nga Kryetari i Bashkisë; në të kundërt, shqyrtimi i çështjeve apo projekt vendimeve shtyhet për mbledhjen tjetër. Në rregullore thuhet se këshilli shqyrton çështjet e mësipërme në mbledhjen e ardhshme të rregullt edhe pa praninë e Kryetarit, dhe në këtë rast, projektakti mbrohet nga zëvëndëskryetari i autorizuar me shkrim nga Kryetari.

“Ne nuk jemi kundër për të penguar dikë për kryer një investim. Por duhet të ndiqen hapat ligjorë. Të respektohet afati i konsultimit publik dhe të jenë prezent këshilltarët. Nuk e kuptoj si bëhen këto punë në këtë mënyrë.” tha Veap Halili, anëtar nga radhët e opozitës.

Sekretari i Këshillit ka për detyrë të organizojë dhe të bashkërendojë punën për konsultimin publik, njoftimet apo dëgjesat publike me qytetarët. Referuar ligjit për konsultim publik, njoftimi paraprak kryhet brenda 20 ditëve. Për aktet veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, sipas vendimit të organit publik, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 40 ditë pune nga data e njoftimit.

Pas krizës energjitike nga lufta në Ukrainë, ku çmimet pësuan një rritje të shpejtë, interesi për ndërtimin e impianteve fotovoltaike është i lartë.




Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button