Kërkesa e AAK-së për Kuvendin e Kosovës, kur pritet shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese?

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës për konstituimin e saj do të mbahet nesër, e Gjykata Kushtetuese ende po shqyrton kërkesën e dërguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që ka të bëjë me legjitimitetin kushtetues të formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
AAK, përmes kësaj kërkese drejtuar Kushtetueses, ka shprehur shqetësimet e saj mbi procedurat e ndjekura gjatë krijimit të komisionit, duke e vënë në dyshim përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Lidhur me këtë çështje, zyra për media e Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar për Telegrafin se lënda në fjalë është aktualisht në shqyrtim.
Në një përgjigje zyrtare, Gjykata thekson se vendimi ende nuk është marrë.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
Ndërkaq, në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar edhe komentet e deputetëve të Kuvendit në lidhje me kërkesën e dorëzuar nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, e cila bashkë me 10 deputetë të tjerë ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së një vendimi të marrë më 5 maj 2025.
Ndryshe, AAK ka insistuar se krijimi i komisionit për votim të fshehtë nuk ka qenë në përputhje me procedurat kushtetuese, dhe ka kërkuar që Gjykata të sqarojë ligjshmërinë e veprimit në fjalë.