Kërcënimet ndaj presidentes Osmani, Grupi për Barazi Gjinore kërkon veprime të menjëhershme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tash e një kohë ka qenë cak i disa kërcënimeve me jetë që kanë ardhur në adresën zyrtare të institucionit që ajo drejton.
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore përmes një reagimi për media ka dënuar ashpër kërcënimet me vdekje të bëra së fundmi ndaj Osmani.
“Akte të tilla frikësimi dhe kërcënime të kësaj natyre nuk janë vetëm sulm ndaj Presidentes Osmani si person, por edhe sulm ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe parimit të paqes e stabilitetit. U bëjmë thirrje institucioneve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile dhe mediave që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara për të mbrojtur gratë në politikë dhe për t’u siguruar që ato mund të udhëheqin pa frikë”, thuhet në reagimin e tyre.
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore tutje ka shprehur solidaritet të plotë me Presidenten Osmani dhe kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre të palëkundur për sigurinë, mbrojtjen dhe dinjitetin e të gjithë zyrtarëve publikë, pa dallim gjinie, që shërbejnë me integritet dhe përkushtim.
“Nuk ka vend për dhunë apo frikësim në shoqëritë demokratike”, thuhet në reagim.