
Në relacion me Kosovën, duket se fitorja e Vuçiqit nuk ndërron asgjë thelbësore, as për të mirë, as për të keq, sepse nëse në Kosovë te ai shohin pengesën e njohjes, në Serbi kritikat e opozitës ndaj tij janë pse e ka dobësuar pozitën negociuese të Serbisë dhe kërkojnë nga Vuçiqi që vija të kuqe të jetë mosnjohja e Kosovës dhe mospranimi në OKB…
Nga Daut DAUTI
(vijon nga kolumna e kaluar)
Falë zhdërvjelltësisë dhe vizionit, Aleksandar Vuçiqi diti të nxjerrë veten në plan të parë dhe të bëjë shkëputje prej figurave që pas luftërave të viteve 90-të u apostrofuan si fajtorë, ndaj dhe duhej ta bënte distancimin, sidomos për shkak se ata ishin të akuzuar për krime lufte. Madje çuditërisht dhe të dalë nga subjekti që lidhej me Sheshelin dhe të krijojë të ri, dhe nga zeroja të bëhet numër një në Serbi. Në periudhën post-Millosheviqiane, dijti t’i shfrytëzojë edhe përçarjet në kuadër të opozitës “demokratike” pas vrasjes së Gjingjiqit (Tadiq, Koshtunica, Gjillas…) por dhe fenomenet tjera negative të pushtetarëve tranzicionistë, që nuk shkuan më larg se dështimet e shumë pushtetarëve tranzicionistë të vendeve që dolën nga komunizmi. Në këtë mënyrë u forcua pozita e tij, e cila përveç fenomeneve negative të qeverisjes, i vuri në shënjestër edhe përpjekjet “për ta shitur” Kosovën,“djepin e Serbisë së Vjetër”!
Pra,kthehemi te “specialiteti serb” i “tradhtisë kombëtare”, që në të kaluarën shumëkush ia ka hëngër kryet me humbje pushteti ose madje dhe më keq.
Kur luan me këso gjërash, është e determinuar dhe rruga. Ndaj, fitorja në zgjedhjet e fundit të 17 dhjetorit, nuk është asgjë e re. E reja që s’është aq e re, është çka do të thotë kjo për Kosovën, përderisa Vuçiqi, në procesin e deritashëm të dialogut, ka thënë në mënyrë decide se s’ka ndërmend ta njohë?
Fill pas rezultateve të zgjedhjeve, disa liderë opozitarë hynë në grevë që u përpoqën fijaskon zgjedhore ta arsyetojnë me falsifikim zgjedhjesh (“sindromi Millosheviq”). Kjo duket atraktive dhe u mbetet organeve të atjeshme, nëse veprojnë në mënyrë të pavarur, që të verifikojnë vërtetësinë e akuzave, ndonëse të jemi të sinqertë, Serbia e do Vuçiqin.
Pyetja është hipotetike: çka nëse do të kishte fituar opozita, çka do të ndryshonte për Kosovën?
Nëse mund të gjykohet nga deklaratat e dhëna, si të ish-pushtetarëve opozitarë (BorisTadiq lëvdohej se e ka refuzuar Merkelin kur i ka kërkuar njohjen e Kosovës …), si të opozitarëve të tashëm më të gjallë se tjerët(trashëgimtari i Tadiqit, Gjillas…), në çështjen e Kosovës nuk ndryshojnë nga koncepti i Vuçiqit! Përjashtim bëjnë Nikola Sanduloviq, Nenad Çanak, Çeda Jovanoviq, por forca e tyre është e papërfillshme. Pra, ajo opozitë që sadopak ka një farë force, përpiqet të rikthehet duke kritikuar Vuçiqin se po e shet Kosovën!
Nëse Tadiqi është pa pushtet, këtu është Dragan Gjillasi për të vazhduar ku ka dështuar ai. Dragam Gjillasi, as përafërsisht nuk mendon si i jati, MillovanGjillasi, disidenti më i famshëm komunist i Jugosllavisë, i cili ka pasur do pikëpamje më fleksibile për çështjen e Kosovën(“bashkimi me Shqipërinë”). I biri, Dragan Gjillasi, nuk ka dhënë ndonjë alternativë më të mirë se Vuçiqi. Nëse kujtojmë periudhën e presidencës së Tadiqit, është zhvilluar një proces negociues, në të cilën emisari i tij BorivojeStefanoviq nuk ka dalluar shumë nga pozicionet e sotme të Vuçiqit. Ka dhe opozitë tjetër serbë, sikundër gjithë opozita, me orientim demokratik, në shikim të parë, por kjo “demokraci” vlen vetëm për marrëdhëniet e brendshme. Në këto zgjedhjet e fundit u faktorizua një koalicion të prirë nga Marinika Tepiq dhe Mirosllav Aleksiq, “Serbia kundër dhunës”, të cilët madje filluan grevën me uri fill pas rezultateve zgjedhore, duke akuzuar Vuçiqin për falsifikim të zgjedhjeve. Por, kjo është kauza brenda serbe. Çfarë kjo opozitë mendon për Kosovën?
Kjo opozitë e akuzon Vuçiqin që e ka koncentruar vetëm në duart e tij çështjen e Kosovës dhe kërkojnë debat brenda parlamentit. Parimisht e drejtë, por praktisht? Nëse ky debat do të zhvillohej ashtu siç e kërkojnë këta opozitarë, ku do të kyçeshin edhe përfaqësues të Akademisë(ah!), universiteteve, deputetë, përfaqësues të sektorit civil, për të hartuar platformën e përbashkët për negociata me “Kosovën dhe Metohinë”, çfarë mund të jetë rezultati? Këtë e kërkon opozitarja Tepiq, e cila mendon se ka pësuar fijasko vendosja nga një njeri rreth kësaj çështjeje cila është “mbipartiake”. Por, në këtë platformë të përbashkët, një gjë është më interesante, ajo duhet të bazohet në vijat e kuqe, që janë njësoj si të Vuçiqit:”nuk ka njohje të Kosovës, nuk ka anëtarësim në OKB…”!
Zbrit Huso, të hipë Haso! Ose edhe më keq, si kënga e boshnjakut DinoMerlin, “keq me ty, edhe më keq pa ty!”.
Nëse opozita “demokratike” e akuzon Vuçiqin për uzurpim të çështjes së Kosovës, çka do të thoshte nëse ajo kërkon platformë të përbashkët, që sipas Tepiqit, ka për qëllim përforcimin e pozitave negociuese të Serbisë? Nga aspekti pragmatik, më i përshtatshëm mund të jetë një autoritet me besueshmëri të lartë, i cili mund ta ketë kurajën që të marrë vendime të mëdha “pa pyetur askënd”. Vuçiqi këtë e ka ndaj edhe perëndimi ende shpreson te ai.
Duket paradoksalisht ta thuash, por qëndrimi kategorik i Vuçiqit, të cilin ende shumëkush e konsideron “njeri të Perëndimit”, si pretekst buron pikërisht nga akuzat e opozitës ndaj tij, dhe tash ai nuk ka më alternativë manovruese pos që të dëshmojë se nuk e po e shet Kosovën. Tash, jo vetëm Kosova, por dhe Perëndimi, që ka mundur t’i besojë se duke qenë me përkrahje kaq të madhe në Serbi dhe mund ta bëjë hapin vendimtar për ta njohur. Sprova si kjo me luftën në Ukrainë ishte një dëshmi më e madhe se ai edhe mund të bëhet njeri i Perëndimit, por nuk mund të heqë dorë nga dashuria jetike e shoqërisë serbe ndaj Rusisë. Është si nostalgji e dashurisë së parë, nuk ndryshon ndjesia, çfarëdo që të ketë ndodhur ndërkohë, madje ia falin edhe tradhtitë!
Prapaskenat e lojërave gjeopolitike nuk mund t’i shohin njerëzit e rëndomtë, ato janë më të thella, por duket se realisht përpjekjet e Perëndimit për të bërë ujkun qengj, ende nuk po japin fryt. Edhe kur deshën ta përkëdhelin më shumë Vuçiqin se Kurtin, kur i pari kishte gjithë ato hipoteka të së kaluarës dhe shumë obstruksione të tashme ndaj marrëveshjeve, iu vunë Kosovës edhe masa ndëshkuese, nuk ndryshuan gjë. Ka madje hamendje edhe pas ngjarjeve të Banjskës, kur u pa qartë përpjekja për destabilizim të sigurisë në Kosovë, që nuk pati distancim të qartë nga Serbia zyrtare, kurse gjykata nuk pati forcë për t’u distancuar nga i përkëdheluri i Vuçiqit, Millan Radojçiq, kryeparamilitari.
Ende janë të paktë në BE ata që si deputeti i CDU-së, Knut Abraham, që Serbinë e shohin si faktor destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se dialogu mund të dështojë tërësisht nëse vazhdohet me qasjen e njëjtë. BE ka harruar se Serbia ishte shkaktari i luftërave të fundit në Ballkan dhe burimi i destabilizimit. Në vend se për këto arsye t’ia tregojnë vendin ku e ka, përpiqen ta tërheqin. Serbia është pala që deklaron haptas se nuk i zbaton marrëveshjet, kurse masat ndëshkuese për Kosovën. Ndaj dhe ka të drejtë Knut Abraham: “…Sa kohë që Serbia vepron në këtë mënyrë nuk mund të ketë siguri. Nëse nuk respektohet marrëveshje atëherë nënkupton që dialogu me të vërtetë ka dështuar. Besoj se ka ardhur koha që nëse njëra palë nuk i respekton marrëveshjet atëherë duhet të ketë ndëshkime serioze”.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)
Huazuar nga Koha.mk
