Kapet konteineri me kokainë në Portin e Hamburgut, arrestohet kreu shqiptar bashkë me 10 anëtarë të grupit
Një grup kriminal trafikantësh droge ka rënë në prangat e policisë gjermane pas sekuestrimit të një konteineri më kokainë. Grupi rreth një të dyshuari kryesor, 39-vjeçar nga Shqipëria, dyshohet se ka organizuar trafikimin e 48 kilogramë kokainë nga Amerika e Jugut, tha zyra e hetimit doganor në Hanover.
Kokaina, me vlerë rruge rreth 2.4 milionë euro, u zbulua në portin e Hamburgut në një kontenier me letër. Hetuesit sekuestruan kokainën dhe e përdorën kontejnerin si karrem. Kur një kompani transporti solli kontejnerin në Bremen, policia ndërhyri: “Ndërsa kontejneri ishte duke u shkarkuar, 6 të dyshuar u arrestuan nga forcat speciale,” tha Julia Söllner, zëdhënëse e shtypit për Zyrën e Hetimit Doganor të Hanoverit.
Menjëherë pas arrestimeve të para, 14 prona në Bremen, Stuhr, Ganderkesee dhe Delmenhorst u kontrolluan. Hetuesit arrestuan përkohësisht 5 persona të tjerë.
Gjatë kontrolleve, hetuesit sekuestruan 160 gramë kanabis, peshore precize, makineri izolimi me vakum, steroid anabolikë, telefona celularë të ndryshëm, kompjuterë dhe mjete ruajtjeje si dhe dokumente transporti për kontejnerë dhe dokumente të tjera si provë. Gjithashtu janë sekuestruar tre makina, llogari të ndryshme, 900 euro cash dhe një orë e cilësisë së lartë.
Operacioni u mbështet nga forcat e zyrave kryesore doganore në Hamburg dhe Bremen dhe forcat policore të Bremenit, Saksonisë së Poshtme dhe Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore, si dhe njësitë e tyre speciale. Hetimet e mëtejshme nga Zyra e Hetimit Doganor të Hanoverit janë në vazhdim.