Aktualitet dhe Lajme

Irani për Netanyahun: Kërkon të përfshijë SHBA në një katastrofë në Lindjen e Mesme!

Share

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, akuzoi sot Izraelin se po përpiqet të tërheqë Shtetet e Bashkuara drejt një katastrofe në Lindjen e Mesme dhe paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për të provokuar luftë kundër Iranit.

“Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përpiqet t’i diktojë hapur presidentit amerikan Donald Trump se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë në diplomacinë e tij me Iranin,” shkroi Araghchi në rrjetin social X, me shkronja të mëdha.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara, që kanë qenë armiq për katër dekada, kanë nisur më 12 prill bisedime për çështjen e ndjeshme të programit bërthamor iranian, me ndërmjetësimin e Omanit.

Më 27 prill, Netanyahu u bëri thirrje SHBA-ve të arrijnë një marrëveshje me Teheranin që do t’i heqë Iranit çdo mundësi pasurimi të uraniumit dhe që do të ndalojë zhvillimin e raketave balistike.

Irani, që i konsideron këto kërkesa si vijë të kuqe në negociata, e kishte akuzuar më parë Benjamin Netanyahun se “i dikton” politikën SHBA-ve.

“Bota gjithashtu mësoi se si Netanyahu ndërhyn drejtpërdrejt në qeverinë amerikane për ta tërhequr në një tjetër katastrofë në rajonin tonë,” shtoi Araghchi në platformën X.

Ai iu referua mbështetjes së pakushtëzuar të SHBA-së për Izraelin në luftën e tij në Gaza kundër lëvizjes islamike palestineze Hamas, si dhe sulmeve amerikane ndaj rebelëve Houthi në Jemen.

Rebelët Houthi, që kontrollojnë pjesë të mëdha të territorit të Jemenit të përfshirë nga lufta, shpesh godasin tokën izraelite dhe anije në Detin e Kuq si shenjë mbështetjeje për palestinezët e Gazës.

“Mbështetja vdekjeprurëse për gjenocidin e Netanyahut në Gaza dhe lufta që po zhvillohet në emër të Netanyahut në Jemen nuk i kanë sjellë ASNJË dobi popullit amerikan,” vlerësoi Araghchi, duke paralajmëruar për “ÇDO gabim ndaj Iranit”.

Të dielën, kryeministri izraelit premtoi hakmarrje ndaj rebelëve Houthi por edhe ndaj Iranit, pasi sipas Netanyahut, Irani i kishte dhënë mbështetje ushtarake rebelëve që morën përsipër përgjegjësinë për një sulm me raketë ndaj aeroportit kryesor ndërkombëtar të Izraelit.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button