Aktualitet dhe LajmeLajme nga DibraLajmi i funditPërditshmëriPersonaliteteShqipëria

INTERVISTË/ Problemet gjeologjike në rrugën e Arbërit nuk qëndrojnë “politika nuk ka pasur vullnet për ta përfunduar”

Share

Një prej studiuesve të të gjithë formacioneve shkëmbore dhe gjeologjike nga kalon gjurma e rrugës së Arbërit, Prof. Dr. Bashkim Lleshi, hodhi poshtë pretendimet e Kryeministrit Rama se problemet gjeologjike në tunelin e Murrizit, ka qenë arsyeja për zvarritjen e punimeve. Në intervistën për Bulqizaime.al, Lleshi thotë se gjurma e ndërtimit të rrugës ka devijuar nga projektet fillestare, duke rritur në këtë formë edhe koston. Ai thekson se zvarritja e punimeve prej dy dekadash, tregon se politika nuk ka pasur vullnet për ta përfunduar, por ta shfrytëzojë në zgjedhje për vota, si partitë nga e majta ashtu edhe djathtas. Pak ditë më parë Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi shpalljen e dy procedurave të tjera tenderuese lidhur me rrugën e Arbërit. Konkretisht ajo për sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve në Planin e Bardhë dhe në Shkallën e Tujanit, ku bashkë me kontratat e supervizimit për këto tendera, kap një vlerë prej afro 20 milionë euro – duke e çuar koston e rrugës në afro 350 milionë euro. Sipas Lleshit, punimet e kryera në rrugën e Arbërit nuk janë cilësore dhe në shumë segmente është dëmtuar.

Intervista e plotë me Prof. Dr. Bashkim Lleshi

Z. Lleshi, jeni ndër personat e parë që keni punuar për ndërtimin e rrugës së Arbërit, por gjithashtu edhe një zë i vazhdueshëm në opinionin publik për zvarritjen e punimeve. Mund të më thoni shkurtimisht një kronologji të ndërtimit të rrugës së Arbërit?

Kemi folur gjatë në media, artikulli më i fundit është një kronologji e premtimeve duke nisur që nga studimi i fizibilitetit në vitin 2003 e me atë se çfarë po bëhet sot, botuar në gazetën “Rruga e Arbërit” nga Bujar Karoshi. Dua të them se që prej vitit 1996 ne kemi hartuar një peticion drejtuar qeverisë për ndërtimin e rrugës së Arbërit. Në vitin 2003 përfundoi studimi i fizibilitetit dhe u miratua në Këshillin Kombëtar të Rrugëve që drejtohej në atë kohë nga Kryeministri, Fatos Nano. Në vitin 2004 presupozohej se do të fillonin projektet teknike me segmente të veçanta gjithashtu edhe fillimin e punimeve, por këto projekte nuk filluan. Vetëm 20 ditë para zgjedhjeve të vitit 2005 në dalje të Bulqizës, vihet një tabelë e madhe ku thuhej se filloi ndërtimi i rrugës së Arbërit, ‘Bulqizë-ura e Çerenecit’. Por që nuk ishte bërë projekti teknik me studime të detajuara gjeologjike për gjurmën se ku do të kalonte rruga. Projektet teknike çojnë në përmirësimin e projektit të fizibilitetit, por jo në ndryshime të mëdha të projektit. Por të bësh detajime për çdo segment ose vepra të caktuara. Por siç dukej ajo nuk u mor aspak seriozisht.

Investuar kaq gjatë në rrugën e Arbërit bashkë me shumë të tjerë, kur kaluat për herë të parë pasi u hap për qarkullim, çfarë ndjesie kishit? Ishte ashtu siç ju e kishit menduar?

Ajo rrugë nuk plotëson asnjë standard të rrugëve evropiane, jo vetëm e pa përfunduar, por ka ngelur copë-copë. Është fatkeqësi që ky investim i rëndësisshëm të jetë në këtë gjendje. Kjo rrugë duhej të kishte përfunduar brenda një mandati. Studimi i fizibilitetit ka mbaruar në vitin 2004 dhe deri në vitin 2009 ajo rrugë do të duhej të kishte përfunduar. Por është fakt që ka 20 vite që po zvarritet ndërtimi. Kthyer në rrugë politike dhe premtimesh elektorale për vota, si majtas dhe djathtas. Vetë zvarritja tregon se politika nuk ka pasur vullnet për ta përfunduar. Së pari që kur u fillua ndërtimi nga Bulqiza deri në urën e Çerenecit, duhet të themi që ishte rikonstruksion i rrugës ekzistuese dhe nuk është rruga e Arbërit. Fondet janë dhënë për të bërë rrugë me trase të re me parametra evropiane. Gjurma në studimin e fizibilitetit ishte në anën e majtë të zallit të Bulqizës. Edhe kur u bënë projektet e zbatimit, e filluan ndërtimin e rrugës po aty ku e filloi Fatos Nano pa projekt. Në atë kohë i dërgova një letër ministrit të atëhershëm të Infrastrukturës, Lulzim Basha – edhe si dibran – për ti thënë se rruga po fillonte aty ku nuk duhej të fillonte, pasi gjurma ishte në krahun tjetër. Pjesa nga përmendorja e Skënderbeut në Vajkal dhe deri në Fushë-Bulqizë është në hije dhe gjatë dimrit bëhet shumë e rrezikshme. Së dyti, kur kalon urën e Qytetit, rruga nuk duhej të kalonte në drejtim të Godvisë, por të ndiqte krahun e majtë të zallit të Bulqizës.

Lugina e Bulqizës. Foto: Sami Curri

Ndryshimet në qeveri në vitin 2013-të, sollën premtime të reja nga Kryeministri Rama, sipas jush sa seriozisht u mor ndërtimi i rrugës?

Premtimet kanë qenë të mëdha, por në zbatim jo. Pasi përfundoi keq rruga nga Bulqiza në Çerenec, filloi ndërtimi i tunelit në qafë të Buallit. Ju deshën katër ose pesë vite punë dhe zvarritje për të përfunduar një tunel afro 460 metra. Ku në studimin e fizibilitetit ishte projektuar 850 metra, duke filluar ndërtimin në vendin më të keq të mundshëm, jo aty ku ishte miratuar. Edhe një minatori që ka punuar në gjeologji ose minierat e Bulqizës, po ti thuash a hapet tuneli këtu do të thoshte që nuk hapet. Këtë nuk mund ta bënte një specialist që ka kryer studime të detajuara dhe me shpimet gjeologjike përkatëse. Sidomos kur në Qafë Buall ishin shpimet e gjeologjisë së dikurshme dhe mund të shfrytëzoheshin. Tuneli u spostua dhe u ngrit më lart, kjo gjoja për të kursyer qeverinë në dëm të cilësisë. Rruga do të duhej të kalonte poshtë varrezave të Bulqizës, por e ngritën tunelin 20 metra dhe bën një gërmim mbi 300 metër sipër varrezave, një batërdi që nuk ta merr mendja se si mund të veprohet ashtu me papërgjeshmëri. Kjo sepse u zgjerua edhe dampa e fabrikës.

Kanë kaluar afro 10 vite që kur punimet në trasenë nga qafa e Buallit deri tek ura e Vashës kanë përfunduar. Pak ditë më parë ARRSH, njoftoi se ka shpallur dy procedura tenderuese me afro 20 milionë euro të tjera për skarpatat në këtë segment dhe në Shkallën e Tujanit. Ju si e komentoni një zvarritje të tillë?

Bashkë me tunelin e qafës së Buallit dhe segmentin në Plan të Bardhë e ka pasur po firma Gjoka. Pra supozohej që kjo kompani do të duhej ta kishte dorëzuar këtë segment. Por në fakt jo vetëm që nuk u dorëzua, por u la për t’u shkatërruar. Edhe kur nuk kishte teknologjinë e sotme, para 200 vitesh, ura ndërtohej aty ku ishte pjesa më e ngushtë e lumit. Ndërsa sot ne e ndërtojmë urën aty ku është lugina më e gjërë. Po të respektohej projekti do të ndërtohej me gjysmën e shpenzimeve sipër urës ekzistuese të Vashës, do të kishte tunel në Gurin e Bardhë dhe nuk ishte parashikuar që të bëhej urë në fshatin Fshat. Më vjen keq kur e shoh rrugën në atë gjendje. Ato deformime në trasenë e rrugës në Xibër do të eliminoheshin po të ishin marrë masat e nevojshme dhe të ishte bërë studimi i detajuar i rrugës. Por sot për ta vënë për vije kërkon dyfishin e shpenzimeve.

Rruga e Arbërit, segmenti qafa e Buallit – ura e Vashës. Foto: Sami Curri

Tunelin e Murrizit e dëgjojmë vazhdimisht nga Kryeministri Rama dhe drejtues të tjerë të qeverisë të thonë se ka probleme gjeologjike, çfarë ka sjellë vonesë në përfundimin e rrugës. Sipas jush, sa qëndrojnë këto arsyetime?

Çështja e tunelit të Murrizit ka qenë kryesorja që ka pasur edhe debatet më të mëdha. Në studimin e fizibilitetit ka qenë projektuar në 3.4 km gjatësi. Por në këtë studim janë bërë vëzhgime sipërfaqësore, ndërsa studimi gjeologjik i detajuar me shpime për të parë profilet e tokës nuk janë kryer. Që para vitit 2014-të, kishte diskutime për ngritjen e tunelit 200 metra sepse ka probleme gjeologjike dhe sasi të mëdha të ujit etj. Në fakt teknikisht ato nuk qëndrojnë sepse formacionet e tunelit të Murrizit në afro 80% të gjatësisë janë në shkëmb të fortë masiv pa prishje. Shkëmbinjt gëlqeror pllakor të çimentuar. Minatorët tanë kanë bërë tunele si ai nga Klosi në Bulqizë prej afro 14 km që janë dy tunele paralel dhe me prurje të mëdha uji, që kur dilte në grykën e tunelit në Shëngjun, sasia e ujit ishte aq e mjaftueshme sa për të vendosur një turbinë elektrike. Ndërsa në tunelin e Murrizit thuhet vazhdimisht gjeologjia e ka fajin, që në fakt nuk qëndrojnë. Defektet e punës dhe të organizimit të kompanisë i janë vënë gjeologjisë. Formacionet e tunelit të Murrizit nga krahu i Tiranës janë të qëndrueshme, mesatarisht si tuneli i Krrabës, ndërsa pjesa tjetër është e qëndrueshme. Më e bukura është se këtë e merr përsipër ta thotë ministrja Balluku, që nuk është specialiste e fushës. Por le të dali një specialist dhe të sqaroj opinionin se ku qëndron problemi gjeologjik i tunelit, sidomos tani kur nuk ka asnjë problem gjeologjik. Të gjitha janë probleme organizative të mungesës së drejtimit, sa të kompanisë, por edhe të qeverisë.

Hyrja në tunelin e qafë Murrizit, Tiranë – pjesë e rrugës së Arbërit. Foto: Sami Curri

Pritshmëritë për të ardhmen për ta ndërtuar këtë rrugë?

Nuk e di. Këtyre nuk ju besohet sepse rruga e Arbërit është përdorur prej 20 vitesh vetëm për të marrë vota. Rruga është zhvillim dhe është fatkeqësi që është zgjatur kaq shumë, pasi do të duhej të kishte përfunduar që në vitin 2009. Kur ishte diskutimi me kompaninë Kineze dhe kur këta të fundit erdhën në Shqipëri dhe panë terrenin ku do të kalonte gjurma, thanë se ne për dy vite e përfundojmë. Siguruan edhe fondet, por u prishën. Kjo edhe për faktin sepse fondi që u parashikua nga ata ishte shumë më i ulët se fondi me të cilën po punohet për rrugën e Arbërit sot, mos të them se gjysma e pagesës. Luhet me këtë investim të madh, por Dibra, Bulqiza, Klosi, Mati do të kishin dimension tjetër po të kishin rrugën. Sot jemi thuajse 20 vite që nga projekti dhe rruga nuk ka përfunduar, duke u lënë rrugëve.

Pak para zgjedhjeve të vitit 2021, qeveria e hapi për kalim rrugën e Arbërit, pavarësisht se nuk kishte përfunduar. Por ato segmente që konsiderohen të përfunduara, si ju janë dukur punimet?

Hapja e rrugës ishte sa për të thënë se ja rruga mbaroi. Bajpasi ishte në gjendje skandaloze, se u pa që pas 6 muajsh u shkatërrua në disa vende dhe u mbush plot gropa. Se thuhej se ky bajpas do të ishte rrugë turistike me standarde, por puna në terren tregonte gjë tjetër. Shyqyr që erdhi Kryeministri para ca javësh dhe i mbushën disi gropat. Është skandal kur shikon se si një pjesë e tunelit që u hap në fillim u shemb pasi kishin avancuar afro 400 metra. Por hapja e këtyre metrave na kushtojnë miliona euro dhe nuk mund të përdorësh eksploziv pa kriter.

Sa transparente ka qenë qeveria në informimin e publikut lidhur me ecurinë e punimeve?

Transparencë nuk ka lidhur me ecurinë e punimeve. Për një vepër kaq të rëndësishme si rruga e Arbërit, qytetarët duan të dinë si po shkojnë punimet. Në një takim në Pogradec ministrja Balluku tha se problemet gjeologjike na bëjnë që ta shtyejmë me 17 muaj. Në te dy tunelet kanë ngelur metrat e fundit per t’u kryer. Pjesa që ka ngelur është në shkëmb të fortë, masiv, pa prishje dhe pa asnjë pikë uji. Pra nuk ka asnjë problem gjeologjik, por zvarritja mund të vijë vetëm nga mungesa e drejtimit teknik. Kështu që edhe tani mund të dalin probleme po të përdoret lëndë eksplozive mbi normativat e caktuara duke zgjeruar më shumë hapësirën në dritë të tunelit, duke prishur strukturën e shkëmbit e duke provokuar shembje të blloqeve të lëvizur të cilët po të bien mbi pjesën e betonuar, në rast se janë krijuar hapësira mbi armaturë e betonit dhe ato hapësira nuk janë të mbushura, atëherë mund të rrezikohet edhe prishja e betonit. Por këto nuk do të jenë më probleme të gjeologjisë, por probleme të mungesës së drejtimi teknik të kualifikuar. Me specialistë të mirë këto probleme do të zgjidheshin shumë kollaj.

Source link bulqizaime.al

Back to top button