Incident në Greqi! Drejtoresha përjashton nga shkolla 10-vjeçaren shqiptare, revoltohen prindërit
Një incident në Greqi ka tërhequr vëmendjen e mediave, pasi një 10-vjeçare me origjinë shqiptare u përjashtua nga shkolla në fshatin Simantra, Halkidiki, duke shkaktuar reagime të forta. Vendimi u mor pas ndryshimeve të fundit në rregullat e Ministrisë së Arsimit, të cilat kufizojnë numrin e nxënësve në një klasë në maksimumin e 25 fëmijëve.
Drejtorati lokal i Arsimit vendosi të largojë vajzën për të mos krijuar një klasë të dytë paralele për nxënësit e klasës së pestë, pasi në klasë tashmë ishin regjistruar 26 nxënës. Për rrjedhojë, 10-vjeçarja u udhëzua të ndjekë mësimet në një shkollë të fshatit fqinj, Portaria, rreth 8 kilometra larg, por familja e saj nuk kishte mundësi të organizonte transportin.
Babai i vajzës, Altin Tocila, tregoi se pas fillimit të vitit shkollor, drejtoresha e shkollës e kishte informuar për përjashtimin. Kur familja kundërshtoi këtë vendim, drejtoresha thirri policinë për të larguar fëmijën nga ambientet e shkollës, gjë që e tronditi vajzën, duke e bërë të qante.
Familja e vajzës përballet me sfida të mëdha, pasi kanë edhe një fëmijë më të madh që ndjek shkollën në një fshat tjetër, 9 kilometra larg, dhe nuk mund të përballojnë transportin për të dy fëmijët. Familja Tocila, e cila është zhvendosur në Halkidiki për një jetë më të mirë, po përballet me vështirësi për shkak të këtij përjashtimi.
Ngjarja ka nxitur reagime të forta nga shoqatat e mësuesve, të cilët organizuan një protestë para Drejtorisë Arsimore në Polygyros, duke kërkuar një zgjidhje. Pas reagimeve publike, autoritetet arsimore kanë premtuar se po shqyrtojnë mundësinë e një përjashtimi nga rregullat për këtë rast specifik.