Aktualitet dhe Lajme

Iftari i mbajtur nga Biden pritet me bojkot dhe protesta jashtë Shtëpisë së Bardhë (FOTOT)

Share

Një darkë iftari nga presidenti amerikan Joe Biden për të celebruar muajin e shenjtë musliman të Ramazanit u prit mbrëmë me bojkot nga grupet muslimane të cilët protestuan jashtë Shtëpisë së Bardhë kundër mbështetjes së administratës Biden ndaj rrethimit dhe luftës brutale të Izraelit në Gaza, shkruan rrjeti turk Anadolu.

Shtëpia e bardhë mbajti një darkë relativisht të thjeshtë iftari por shumë të ftuar refuzuan takimin me Joe Biden, zv. presidenten Kamala Harris dhe zyrtarë të sigurisë, prej zhgënjimit të komunitetit musliman me mbështetjen politike dhe atë me armatime ndaj Izraelit.

Shtëpia e Bardhë refuzonte të emëronte të ftuarit por mes atyre që kanë marrë pjesë në event vite të shkuara si Abdullah Hammoud kryebashkiak i Dearborn ne Michigan, kësaj radhe nuk ishin ftuar.

Muslimanët, arabët dhe aktivistët kundër luftës janë të zemëruar me mbështetjen ndaj pushtimit ushtarak izraelit në Gaza ku janë vrarë dhjetra mijëra palestinezë dhe një krizë urie kërcënon tashmë territorin me rreth 2 milionë njerëz.

Thaer Ahmad ishte mes të ftuarve dhe komentonte për rrjetin vendas HuffPost:

“Unë isha i vetmi palestinez që merrja pjesë prandaj nga respekti për komunitetin që vuan dhe mban zi, i thashë presidentit se po largohem. Ai tha se më kuptonte përse duhet të largohesha.”

Eventi i vjetshëm i Ramazanit në Shtëpinë e Bardhë ishte disi i gëzueshëm ndërsa dje të vetmit pjesëmarrës ishin muslimanë që punojnë në administratë, shkruan rrjeti TRTWorld

Mediat shtojnë se kur presidenti Biden erdhi në post shumë muslimanë kishin pritshëmri për një kthesë nga neglizhenca e Donald Trump.

Por tashmë dhe mosbesimi i muslimanëve ndaj Biden mund të krijojë probleme për fushatën e tij të rizgjedhjes.

Ndërsa jashtë Shtëpisë së Bardhë në parkun Lafayette aktivistët kishin përgatitur iftarin e tyre duke shpërndarë kumbulla të thata për të thyer agjërimin në muzg.

Aktivisti Nihad Awad, tha se inkurajonte dhe muslimanë të tjerë të refuzonin ftesat në Shtëpinë e Bardhë “në rast se presidenti nuk bën thirrje për armëpushim në Gaza”.

“Ai është i vetmi person që mund ta ndalojë këtë, të ndalojë dërgimin e armatimeve”, shtoi  Awad.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button