I dënuar me 1 vit heqje lirie, Avokati: Salianji do të niset sonte drejt burgut të Fierit
Deputeti Ervin Salianji do të transferohet në burgun e Fierit, ku do të kryejë dënimin e dhënë nga Gjykata e Apelit, me 1 vit heqje lirie.
Kjo u bë e ditur nga avokati i Salianjit, Ledio Braho, i cili tha se ligjvënësi demokrat do të vuajë dënimin në burgun që i ka caktuar regjimi.
Braho tha se jemi në kushtet e një vendimmarrjeje haptazi politike, edhe pse ai zgjodhi që të përballet me burgun vullnetarisht.
“Që mbrëmjen e sotme do transferohet drejt burgut të Fierit. Detyra e shtetit të shmangë përplasje në burgje. Ky nuk është problemi i Salianjit, problemi është se jemi në kushtet e një vendimmarrjeje politike”, tha Braho.
Ervin Salianji u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës pasditen e sotme, duke zgjedhur kështu të përballet me regjimin, sikundër ai e konsideroi, dënimin e dhënë nga Apeli. Salianji dhe PD e konsiderojnë vendimin e Apelit si politik, të urdhëruar nga Edi Rama.
PD vendosi të ndërpresë marrëdhëniet institucionale me mazhoracën e Edi Ramës.