Hije skandali/ Von der Leyen bllokoi raportin që kritikon Melonin për lirinë e medias
Mediat italiane i kanë kushtuar një hapësirë të madhe lajmit se shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen është përpjekur të fshehë kritikat ndaj qeverisë së Romës në kulmin e negociatave që ajo po bën për t’u rizgjedhur në një mandat të dytë. Lajmi u publikua fillimisht nga e përditshmja pranë Brukselit, Politico, sipas të cilës, Von der Leyen kishte ndikuar që të shtyhej publikimi i një raporti për lirinë e medias.
Raporti është një hetim i Komisionit që thekson se ka një shtypje të medias së lirë në Itali që kur kryeministrja e ekstremit të djathtë Giorgia Meloni mori detyrën në vitin 2022. Raporti vjetor që vlerëson se si vendet e BE-së respektojnë sundimin e ligjit pritej të miratohej më 3 korrik, por Von der Leyen ka ndërhyrë të shtyhet derisa të emërohet presidenti i ri i Komisionit. Von der Leyen kërkon të bindë qeveritë e vendeve të BE-së për një mandat të dytë dhe Italia është një vend me rëndësi. Politico nënvizon se vonesa e publikimit të raportit është e pazakontë dhe duket se është e motivuar politikisht.
LEXO EDHE: Opozita italiane: Mbështesim RAI-n dhe jo Melonin
“Politico” shkruan se ndërhyrjet e qeverisë italiane në media dhe paditë që godasin gazetarët janë bërë të zakonshme në 2 vitet e fundit. Gazetarët e transmetuesit shtetëror të Italisë, RAI dolën në grevë në maj për të protestuar ndaj një përpjekjeje për ta “shndërruar RAI-n në një zëdhënës të qeverisë”. Komisioni Evropian e kritikoi Italinë që vitin e kaluar në raportin e tij të sundimit të ligjit mbi mënyrën sesi ligji i saj për shpifjen po përdoret gjithnjë e më shumë për të goditur gazetarët.
Italia ra gjithashtu 5 vende më poshtë duke u renditur e 46-a në Indeksin e fundit të lirisë së shtypit nga Reporterët pa Kufij (RSF). Komisionerja për sundimin e ligjit të Bashkimit Evropian, Věra Jourová, tha se Komisioni Evropian po ndjek nga afër “tendencat negative” për lirinë e medias në Itali së bashku me vende të tjera si Sllovakia. Në shkrim thuhet se lëvizjet e Von der Leyen, për të shmangur kritikat mbi lirinë e medias ndaj Italisë kanë acaruar stafin brenda Komisionit. Krerët e shteteve dhe qeverive janë takuar për një darkë joformale këtë të hënë ndërsa Këshilli Evropian mblidhet zyrtarisht në 27-28 qershor.
LEXO EDHE: Gazetarët e RAI-t paralajmërojnë grevë kundër tendencave për censurë nga qeveria e Melonit
Ajo që shihet si skandal është se mesa duket, Von Der Leyen nuk e pëlqeu shkrimin. Politico deklaroi se ishte kontaktuar nga zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand për të zbutur qëndrimin: “Interpretimi i fjalëve në këtë artikull shkon shumë larg. Raporti nuk ka të bëjë me identifikimin e ndonjë vendi. Ne monitorojmë situatën në Itali siç bëjmë në të gjitha shtetet anëtare të BE-së në kontekstin e raportit vjetor të shtetit të së drejtës. Kjo është ajo për të cilën Jourová fliste” – tha zëdhënësi. Pas publikimit të këtij lajmi ka reaguar me shqetësim edhe Federata Europiane e Gazetarëve.
“Ne jemi të kujdesshëm në lidhje me atë që shkruan Politico , sepse nëse do të ishte e vërtetë do të ishte shumë serioze. Ne kërkojmë që të publikohet raporti për sundimin e ligjit, kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne nuk negociojmë me të drejtat themelore të parashikuara në traktatin e BE-së. Parlamenti Evropian ka dështuar plotësisht me Orbanin dhe tani së bashku me Von Der Leyen ata nuk duhet të bëjnë të njëjtin gabim me Melonin apo me të tjerët.
LEXO EDHE: Gazetarët e RAI në revoltë: Nuk jemi megafon i qeverisë
Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë moment historik dhe kërkojmë që Von Der Leyen të mbetet konsistente me vlerat e BE-së. Sepse liria e shtypit është një nga shtyllat” – tha për “Il Fatto Quotidiano”, Renate Schroeder, drejtore e Federatës Evropiane të Gazetarëve. Ajo shtoi se do të “ndiqte nga afër zhvillimet në Itali”, si dhe “goditjen e lirisë së medias”, “grevës së gazetarëve të Rai” dhe “paditë në rritje ndaj gazetarëve”.
Edhe “Observatori Balcani Caucaso Transeuropa”, pjesë e konsorciumit për monitorimin e lirisë së shtypit kërkoi “publikimin në kohë të raportit mbi sundimin e ligjit, i cili nxjerr në pah erozionin e lirisë së medias në Itali. Vonesat e mundshme për shkak të arsyeve të supozuara politike janë shqetësuese”, – shkroi presidenti Vittorio Di Trapani në X. ©LAPSI.al
LEXO EDHE: “Il Fatto Quotidiano”: Rama sulmoi mediat italiane në krah të Melonit
Huazuar nga Lapsi.al