Gruaja me kaçurrela anti-SPAK, zekati “Berisha” – alibi e pamundur tokësore
Nga Adriatik Doçi
Në korrik të vitit 1990, kur pesë mijë shqiptarë mësynë ambasadat e huaja në Tiranë, mjeku komunist, i cili më vonë u quajt doktori “demokrat”, e regjistroi vajzën e tij gjimnaziste në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ajo quhej Argita Berisha.
Komunizmi si regjim mori tatëpjetën kur, në mars të vitit 1991, Partia Demokratike, megjithëse nuk arriti të fitojë shumicën në parlament, tregoi se do të qeveriste vendin. Këtë e bëri më 22 mars të vitit 1992, kur fitoi pushtetin. Në vigjilje të marrjes së tij, dikush i pëshpëriti në vesh doktorit: “Vajzës jepi shkollim juridik, me të do mbrosh pushtetin”. Kështu ndodhi; Argita Berisha u shpërngul nga Shkencat në Fakultetin Juridik në 1991. U bë juriste, profesoreshë dhe, pas 30 vjetësh, fjala në ‘vesh’ e mikut të babait të saj doli e vërtetë. Ajo është avokatja e karrierës së tij dhe e parave të familjes. Demokratët afër familjes e pranojnë me të qeshur: “Doktorit vajza i doli ‘sagllam’, e djali ‘sallam’.”
Fytyra me muskuj të ngrirë dhe qetësi të trazuar e Argita Berishës po shfaqet gjithnjë e më tepër nëpër studio televizive, sidomos pas daljes së aktakuzës 500-faqëshe të SPAK-ut. Dalëngadalë enigma rreth figurës së saj po zbulohet. Është e ashpër, më e ashpër se i ati. Logjike më shumë se emocionale. Është e pasur dhe këtë e pranon me krenari, ndryshe nga babai i saj që ulërin kur ia kujtojnë dhe u hakërrehet kujtdo se është i ndershëm dhe ka pasuri vetëm një “stetoskop”.
Vajza e presidentit Berisha nuk mund të martohej me një “malok”, por u gjet një familje me tentakula në regjimin komunist si ajo e historianit Luan Malltezi nga Durrësi. Jamarbër Malltezi, me kapelen dhe karakterin alla “Qazim Mulleti”, ishte “gruaja” perfekte nga qyteti për “burrin” verior nga fshati. Së bashku bënë katër fëmijë dhe të paktën 25 milionë euro pasuri të paluajtshme, sipas dokumenteve të SPAK-ut.
Zekati “Berisha” – Alibi e pamundur tokësore
Zekati ose Lëmosha Pastruese është një detyrim për çdo mysliman që zotëron një nivel të caktuar pasurie dhe nga kursimet e parave jep 2.5% të pasurisë për periudhën njëvjeçare. Në Kuran janë përcaktuar vendet ku jepet zekati dhe ku ndalohet. Zekati jepet te të varfrit, nevojtarët, ata që kanë borxhe, robërit e luftës, etj., dhe nuk jepet për të pasurit, personat e aftë për punë, jo-myslimanët dhe farefisin e afërt. Një person nuk mund t’i japë zekat personave të afërt të familjes si nënës, babait, fëmijëve apo bashkëshortit.
SPAK-u nxori në pah me dokumente se çifti “Malltezi” kalonte shifrën 100 mijë euro për zekat në fondacionin e “Mama” Berishës.
Profesoresha e ligjit tregtar, Argita Berisha, shpjegon nëpër studio se ajo me bashkëshortin japin çdo vit për zekat 2.5% të pasurisë vjetore, sidomos gjatë muajit të Ramazanit, në formën e donacionit te Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, ku Liri Berisha është Presidente. “Mamaja nuk merr asnjë qindarkë në shtëpi! Nuk merr as rrogë as shpërblim në fondacion,” tha Profesoresha Argita në mbrojtje të zekatit që dhuronte familja e saj me fatura bankare, duke sulmuar madje SPAK-un pse kishte nxjerrë emrat e fëmijëve të sëmurë që do të kurohen. Me të njëjtin pasion justifikues për “zekatin” e çnderuar nga SPAK-u, çirret edhe Profesori i Mjedisit Malltezi dhe Doktori i Pushtetit Berisha.
Zekat, bamirësi, sadaka…
Në shkallët e Bashkisë Tiranë në vitin 2011 derdhej gjak dashi për kurban, si shenjë e respektit të thellë ndaj Zotit që Lulzim Basha predikonte për pushtetin që mori. Në muajt e madhërishëm të Ramazanit, shumë politikanë hajdutë shihen të kërkojnë të bëjnë sadaka me para dhe mish te më të varfrit, te ata që i rrjepin gjithë vitin. Disa më të urryer bëjnë fanatikun duke falur edhe namazin.
Çifti Malltezi kërkon të pastrojë shpirtin e trazuar me zekat, sepse dhënia e zekatit është pastrim i shpirtit dhe zekati në çdo rast është edhe sadaka. Por feja islame e barazon zekatin dhe sadakanë me pastërtinë dhe dlirësinë e veprimit njerëzor përballë syrit hyjnor që sheh gjithçka. Para Atij lart nuk ka justifikim. Kur zekati nuk jepet nga besimtarët për ndërtimin e xhamive, si mund të jepet për fondacionin me presidente mamanë tënde?!
Fondacioni duhet për të ekuilibruar imazhin e vrarë të babait me fytyrën dhe veprat e mira të mamasë. Fondacioni është në ndihmë të pushtetit, bashkë me “zekatin” që ushqen atë. Gjithsesi, kjo nuk është çështje që e zgjidh “Dumani”, por vetë Islami. SPAK-u vetëm sa evidentoi faturat “zekat”. Komuniteti musliman duhet të thotë fjalën e tij, nëse është zekat dhurimi i parave të bijës (me fatura banke) në fondacionin e udhëhequr nga nëna e saj.
6 mijë euro mjekime, 3 mijë euro pushime, 500 mijë euro gjyqe vendime – këto janë “fondet”, paratë e mia, tha bankomatja e Berishës, dhe me to bëj ç’të dua.
E drejtë, vajza e ish-kryeministrit, ish-presidentit dhe kryetarit të opozitës aktuale në Shqipëri mund të bëjë ç’të dojë me paratë e veta të pasekuestruara dhe të luftojë për ato të sekuestruarat (SPAK ka bllokuar 25 prona), por ajo nuk mund të përdorë alibinë “zekat” në lojën e ndyrë për pushtet dhe para. Nisabi “Berisha” nuk mund të jetë kurrë një nisab i ndershëm mysliman.
Gruaja që po humbet qetësinë brenda kaçurrelave 500 faqe të SPAK-ut po përngjan gjithnjë e më tepër me një personazh të një filmi të realizmit socialist, ku vajza e drejtorit të ish-Ekspozitës (Marjeta) i zgjat një tufë me para të fejuarit të saj duke i thënë: “Premtoju sa të duan po qe nevoja, vetëm shpëto babain”. Por ai pasazh filmi nuk vjen dot i plotë sot, pasi i “fejuari” i Argitës nuk është komunist i devotshëm si Agron Kodra, por një batakçi si “daja Rustem”. Marjeta në film luhej nga Matilda Makoçi, për ironi ish gruaja e kryeministrit të sotëm Edi Rama. “Hijet që mbetën pas” u prodhua në vitin1985, në kohën që nuk lejohej as zekati, as sadakaja dhe as vetë Zoti!
Huazuar nga skaproblem.al