Gjyqtarja i kërkoi Suel Çelës të goditste gazetarin, Saimir Kodra: Nuk dua të marr azil politik, nuk jam i frikësuar
Saimir Kodra, ka reaguar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, lidhur me faktet e publikuara pas goditjes që SPAK i bëri organizatës kriminale të Suel Çelës, ku rezultonte se gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetah, i kishte kërkuar kreut të grupit kriminal, dëmtimin e gazetarit Kodra, për shkak se ai kishte publikuar në emisionin e tij, disa investigime për të.
Kodra tregoi se banesa e prindërve të tij nuk ishte djegur, ndryshe nga biseda mes Suel Celës dhe gjyqtares.
I pyetur për konfliktin mes tij dhe gjyqtares, Kodra tha se ai thjesht ka publikuar investigime që lidhen me punën e saj.
“Asgjë më shumë sesa i nxorra vjedhjet, mashtrimet, falsifikimet që ka bërë. Të vërtetuara këto tani nga ekspertët. Unë nuk tërhiqem nga kjo punë, jo të porosis ajo çfarë të dojë, nuk tërhiqem nga ajo punë. Sot ka një treg në Elbasan, që quhet tregu i Pajtimes. Në fshatin Gjinar ka falsifikuar vulat.
Unë mendoj se problemi më i madh është se si mundet një gjyqtare, pjesë e trupit gjykues të arrijë në këto kërkesa dhe komunikime. Është problemi më alarmat. Kolegët që e kanë parë lajmin, më kanë telefonuar të shokuar. Si ka mundësi një gjyqtare, mes bandave mund të ndodhë, por një gjyqtare të arrijë…”, tha Kodra.
I pyetur a është kontaktuar nga anëtarë të bandës, të cilët komunikojnë në SKY ECC, për ta zgjidhur problemin me Kodrën ose me dhunë ose me “paqe”, Hoxha tha se nuk ka patur asnjë komunikim të kësaj natyre.
“Të të gënjej kot, nuk dua të marr azil politik. Mund ti kem patur nga mbrapa, ose jo. Për sa i përket pjesës tjetër, nuk e kam lexuar. Që kur është bërë kjo bisedë unë kam vazhduar me Pajtime Fetahun. Mbrëmë kemi dhënë një përmbledhje, për të hequr këtë dyshim se mund të më afrohej dikush për ta mbyllur dhe për të më dhënë lek për Pajtime Fetahun. Nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk ka për të ndodhur”, tha Kodra.
I pyetur a ndihet i frikësuar, Kodra deklaroi se është më shumë i habitur.
“Mendova, çfarë vendi, çfarë habie… Pa u marrë personalisht me të, me familjen e saj, përveçse me detyrën. Ka një nonsens, nuk e kuptoja dot. Po të isha i frikësuar do të isha frikësuar më parë. Ka njeriu disa ndjesi plogështie, frike, pasigurie, se si ka mundësi? Ta shihje këtë bisedë në një grup bandash… Me një gjyqtare….”, tha Kodra.