Gjuha bullizuese e Ramës/ ISP thirrje partive politike: Jepini fund fyerjeve

Instituti i Studimeve Politike, ka dalë me një deklaratë zyrtare, ku dhe u ka bërë thirrje partive politike që të ndalojnë me përdorimin e gjuhës bullizuese dhe denigruese në këtë fushatë për zgjedhjet e 11 Majit.
Në deklaratën e bërë, ISP thekson se po ndjekin me shqetësim ecurinë e fushatës, pasi kanë konstatuar se gjuha politike disa prej figurave më të rëndësishme drejtuese në partitë politike, në qeveri, në parlament e në institucione me natyrë politike, është jo vetëm jo etike, zhgënjyese, bullizuese, denigruese, por edhe nxitëse të diskriminimit mbi bazën e pikëpamjeve politike, gjendjes sociale, gjendjes shëndetësore, gjinisë, krahinës apo moshës.
Ndërkohë më tej, Instituti i Studimeve Politike, u ka bërë thirrje partive që t’i rikthehen debatit politik mbi alternativat dhe reformat prioritare, mbi shqetësimet e qytetarëve dhe nevojat thelbësore të vendit.
Deklarata e ISP:
“Me shqetësim të thellë Instituti i Studimeve Politike (ISP) konstaton se gjuha politike e disa prej figurave më të rëndësishme drejtuese në partitë politike, në qeveri, në parlament e në institucione me natyrë politike, është jo vetëm jo etike, zhgënjyese, bullizuese, denigruese, por edhe nxitëse të diskriminimit mbi bazën e pikëpamjeve politike, gjendjes sociale, gjendjes shëndetësore, gjinisë, krahinës apo moshës.
Të premtosh Shqipërinë në BE, demokracinë funksionale, mirëqeverisjen e vendit, një Shqipëri reformatore dhe progresiste, dhe, në të njëjtën kohë të etiketosh me fjalor të padenjë e bullizues, kritikët apo rivalët përballë, votuesit kundër apo grupet shoqërore skeptike, përbën një kontrast domethënës dhe tregues i hendekut të thellë midis modelit politik që duhet të kemi dhe modelit që mund të ofrojë një elitë politike e paaftë për reforma, refuzuese ndaj llogaridhënies dhe dialogut qytetar, arrogante në qasje dhe e përfshirë në praktika korruptive apo keqqeverisëse.
Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë respekt. Ndaj tyre zyrtarët e lartë, politikanët, liderit dhe çdo individ dhe media me akses publik kanë detyrë dhe përgjegjësi morale e ligjore të respektojë të drejtat e njeriut, të heqin dorë nga etiketimet diskriminuese dhe bullizuese ndaj kritikëve politikë, si dhe të dëshmojnë maturi e integritet në përmbushjen e detyrimeve ndaj parimeve kushtetuese, dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe Kodit të Etikës, pranuar e firmosur nga të gjitha partitë politike.
ISP apelon partitë t’i rikthehen debatit politik mbi alternativat dhe reformat prioritare, mbi shqetësimet e qytetarëve dhe nevojat thelbësore të vendit.
Gjithashtu ISP apelon Komisionerin kundër Diskriminimit, Komisionerin për të drejtën e informimit, KQZ dhe institucionet ligjzbatuese të ndërhyjnë për të garantuar jetësimin integral të legjislacionit mbi të drejtat e njeriut gjatë procesit zgjedhor”, thuhet në reagim.