Aktualitet dhe Lajme

Gent Sejkos nuk i ka dalë gjumi, rrumpallë në tregun e këmbimit valutor: Asnjë referencë për monedhat

Share

Banka e Shqipërisë nuk ka publikuar ende të dhënat e tregut sot në lidhje me kursin zyrtar të këmbimit të lekut me monedhat e huaja pavarësisht luhatjeve në treg mes monedhës vendase dhe valutave pas festave të fundvitit.

Për momentin, tregu nuk ka një referencë zyrtare në lidhje me kursin e këmbimit, e cila përdoret zakonisht në rastet e transaksioneve të ndryshme mes aktorëve të tij.

Të dhënat e fundit, datë 3 janar nga kursi i këmbimit sipas BSH

E dhëna e fundit është ajo e ditës së djeshme, kur një euro këmbëhej mesatarisht me 103.24 lekë, kurse një dollar amerikan me 94.40 lekë.

Nga të dhënat jozyrtare rezulton se euro ka fituar pikë sot ndaj lekut duke u shkëmbyer shitur me 104.6 lekë dhe blerë me 103.5 lekë në pikat e këmbimit valutor.

BSH aplikon një regjim të lirë të kursit të këmbimit, duke mos imponuar tregun, megjithatë të dhënat e publikuara prej saj shërbejnë si referencë zyrtare gjatë shkëmbimeve të bëra.

Sipas rregullit të caktuar nga vetë BSH, kursi për ditën e sotme duhej që të ishte publikuar mes orës 11:00-12:00, por ende nuk ka dalë, të paktën deri në orën 14:20.

“Banka e Shqipërisë llogarit kursin zyrtar të këmbimit  si dhe vlerën  mesatare të çmimeve të blerjes (bid price) dhe të shitjes (ask price) për monedhat e euros dhe dollarit amerikan, bazuar në kuotime të standardizuara të pjesëmarrësve, në tregun ndërbankar, gjatë  intervalit kohor 11.30-12.00. Ky kurs është një nivel referencë (i vetëm), i cili mund të përdoret nga të interesuarit për qëllime tregtuese, vlerësuese, krahasuese dhe statistikore”, thuhet në shënimin e vendosur nga banka qendrore në faqen ku del kursi çdo mesditë.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button