Gara për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi: Një nga kandidatët mund të përfundojë në burg para vitit të ri
Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, ka folur rreth garës për drejtor policie, ku ai vetë ishte një nga 15 kandidatët për këtë pozicion, por u skualifikua.
Sipas tij, ai u fut në garë për të provuar ligjshmërinë e saj, pasi siç u shpreh ai komisioni është politik.
“U shpreh urimet e mia 11 kandidatëve që janë në garë, se kanë treguar se kanë guxim, trimëri dhe vendosmëri, për të garuar për një post shumë të rëndësishëm. Unë e kam ditur që kjo garë është farsë. I plotësoj të gjitha kriteret, duhet të isha lënë në garë”,-tha Prençi në Euronews Albania.
Gjithashtu, ai tha se ministri i brendshëm, Ervin Hoxha, “e ka prishur garën me naivitet”, pasi në këshillin e sigurisë përmendi se e kanë emrin e drejtorit të policisë.
Ndërsa fliste për garën, Prençi hodhi dyshime se një nga kandidatët për drejtues policie, mund të përfundojë në burg para vitit të ri.
“Unë dua që gara të vazhdojë e suksesshme, por nëse ndonjëri prej 11 kandidatëve, nuk do e hajë Vitin e Ri në shtëpi, por te 313, komisioni i verifikimit të kritereve dhe ministri a do japin dorëheqje? Është pyetje 1 milionshe kjo. Sa të sinqertë janë? Se komisioni i ka kualifikuar”,-tha ai ndërsa u shpreh se do e vërtetojë në mënyrë ligjore se gara ka qenë politike dhe e paligjshme.