Aktualitet dhe Lajme

Gafa e Ramës në fjalimin për Kadarenë (që nuk u vu re)

Share

Fjalimi i vetëm që u mbajt në përcjelljen e shkrimtarit të madh Ismail Kadare ishte ai i kryeministrit Edi Rama. Përveç marrjes së protagonizmit (si në çdo ngjarje të rëndësishme) kreu i qeverisë shqiptare shfrytëzoi rastin edhe për të shigjetuar ata që kishin guxuar të bënin propozime se ku duhej të prehej një kolos i tillë.

Si në çdo fjalim të Ramës, edhe këtë herë, ai u mundua të tregojë se është një njohës i mirë i letërsisë duke sjellë edhe shembuj nga veprat e shkrimtarit të ndjerë. Madje fjalën e tij e mbylli me një paragraf për të cilin tha se vinte nga poema e famshme “Re me pantallona” e poetit rus Vladimir Majakovski të cilën Kadare e ka përkthyer në vitet ’60-të kur ishte fare i ri.

“Mendimin tuaj,
që ëndërron në trurin e butë,
si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,
do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;
gjersa të ngopem, idhnak e brutal” – ishte citimi i Ramës, të cilin mesa duket e ka marrë copy paste nga një urim që kishte bërë një vit më parë për ditëlindjen e shkrimtarit.

Këtu Rama megjithatë ka bërë një gafë.

Vargjet që ai solli nuk janë nga versioni i përkthyer nga Kadare, por nga Agron Tufa.

Përkthimi i Agron Tufës

Këto ishin vargjet e cituara nga Rama që me një kërkim të thjeshtë në google shihet qarte se kujt përkthimi i përkasin. Ismail Kadare e ka përkthyer ndryshe këtë paragraf.

Një gafë e pafalshme për dikë që e quan veten “një dashnor të përndezur të gjuhës shqipe” dhe pasardhës të Nolit dhe Konicës. ©LAPSI.al

LEXONI EDHE: Ismaili iku, ne na mbetet Kadareja



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button