Aktualitet dhe Lajme

Formimi i Qeverisë së re të RMV, gazetari: Profilet e ministrave do të jenë burim i konflikteve

Share

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të mbajë sot seancën për votimin e Qeverisë së re, që do të drejtohet nga Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së, por për gazetarin nga Tetova, Xhelal Neziri profilet e ministrave mund të bëhen shkak për burim konfliktesh.

Në një lidhje me Skype për RTSH24, Neziri përmendi propozimin e Ivan Stoilkoviq, nga Partia Demokratike Serbe, për Ministër për Marrëdhënie mes Bashkësive Etnike. Sipas tij, Stoilkoviq është i njohur për afërsinë e tij me Moskën dhe Beogradin dhe se kjo mund të çojë në probleme për një vend anëtar të NATO-s, siç është Maqedonia e Veriut.

Është lideri i partisë serbe në Maqedoninë e Veriut, ai është i njohur për afërsinë e tij me Moskën dhe Beogradin dhe për një vend anëtar të NATO-s, prania e një personi me biografi të tillë në kabinetin qeverisës, do të shihet si burim i problemeve apo i diskutimeve, apo pse jo edhe i konflikteve brenda kabinetit qeverisës, duke marrë parasysh që një pjesë e madhe atij kabineti janë të rreshtuar përkrah Perëndimit.

Në bazë të numrave është për 4 ministri më i  madh ky kabinet se ai paraprak, pra do kemi shpenzime shtesë buxhetore dhe me këtë Maqedonia e Veriut ka kabinetin më të madh në Rajon, kabineti do të ketë 24 ministra. Profilet e ministrave brenda do të jenë burim i problemeve dhe konflikteve në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh ai.

Lidhur me qeverisjen nga Mickoski, Neziri tha se shpreson që të mos ndjekë politikën e paraardhësit të tij, Nikola Gruevski, por të veprojë si një e djathtë moderne.

Është një qeveri e së djathtës e konservatorëve dhe nënkuptohet se janë edhe nacionalistë dhe kjo qeveri, prap them se është herët se nuk dëshiroj ta paragjykoj, por do të vazhdojë të luaj në këtë krah sepse këto qeveri të djathta grumbullojnë vota duke nxitur urrejtjen tek tjetri. Unë shpresoj që kryeministri i ardhshëm nuk do të marrë modelin e paraardhësit e tij, të Nikola Gruevskit dhe e mbante mbështetjen e madhe vetëm duke luajtur kartën e nacionalizmit dhe nxitjen e urrejtjes. Pres që ai të ketë mësuar nga ato gabime dhe të veprojë si një e djathtë moderne që fokusin ta ketë në zhvillimin ekonomik, integrimin e vendit në BE, nxitjen e biznesit sesa në marrëdhëniet ndëretnike”, theksoi gazetari.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button