Fitoi mandatin e listës së hapur, Jorida Tabaku: Fatkeqësisht nuk sollëm dot rotacionin politik! Përgëzime kolegut Alimehmeti, që ndamë sprintin e fundit

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kandidatja demokrate për deputete Jorida Tabaku ka falënderuar të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, të cilët i dhanë një tjetër mandat për qarkun e Tiranës.
Tabaku, e cila fitoi si kandidate e listës së hapur për Tiranën në zgjedhjet e 11 majit, pas një beteje të fortë me kolegun Ilir Alimehmeti, thekson mirënjohjen e saj të gjithë demokratëve, si dhe aktivistëve, vëzhguesve dhe numëruese të PD-së për sakrificën e tyre.
Sakaq, ajo shpreh keqardhje pasi nuk u arrit dot rotacioni i nevojshëm politik sipas saj, pasi ky sistem prodhon një garë të brendshme të padrejtë.
Postimi i Jorida Tabakut:
Falenderime pa fund për këdo që më votoi, që më mbështeti dhe që ishte me mua në këtë sfidë të radhës, e cila për të thënë të drejtën nuk ishte aspak e lehtë.
Mirënjohje çdo demokrati që punoi, trokiti në çdo derë dhe më shoqëroi në çdo ecje e në takime që nisnin në agim dhe përfundonin në mbrëmje, duke bërë të mundur që sot të kem këtë mbështetje!
U jam pafund mirënjohëse të gjithë demokratëve; anëtarëve, aktivistëve, komisionerëve, numëruesve, drejtuesve lokalë. Për lodhjen, sakrificën dhe forcën e besimit! Ju jeni Partia Demokratike!
Së fundmi, falenderime nga zemra për familjen time; Saimirin dhe fëmijët, mamin, babin, Fisnikun dhe Lornën, si dhe familjen e madhe që ishte me mua deri në votën e fundit.
Fatkeqësisht nuk arritëm dot të sjellim rotacionin politik aq të nevojshëm për Shqipërinë, pasi ky sistem prodhoi edhe një garë të brendshme shpeshherë të padrejtë. Por përgëzime për të gjithë, veçanërisht për kolegun Alimehmeti, me të cilin ndamë sprintin e fundit të kësaj gare, për fushatën dhe mbi të gjitha, për qytetarinë.