“Faleminderit Zotit, e shleva gabimin”. Gjasula në historinë e Europianit: flasin protagonistët

Klaus Gjasula, ashtu si Bajrami, futet në historinë e Europianëve, duke dëshmuar se ky është një edicion i madh i Shqipërisë përtej rezultateve që mund të arrihen. Mesfushori që stadiumin e Hamburgut e kishte si shtëpi, duke e njohur më mirë se çdo lojtarë tjetër i kombëtares shqiptare, u fut zëvendësues dhe rrezikoi të shkatërronte gjithçja. Në fakt, vetëm pas pak, ai shënoi autogolin që përmbysi ndeshjen në favor të kroatëve, por barazoi në shtesë duke shpenguar veten.
Sipas gjigandëve të statistikave të OPTA, Gjasula bëhet zëvendësuesi i parë në historinë e Europianeve apo Botëroreve që arrin të shënojë në të dy portat në një rastësi të çuditshme që e bëri atë protagonist në këtë mënyrë. “Ke të drejtë, minutat e para ishin të vështira, jo vetëm autogoli edhe për disa situata që si bëra mirë. Faleminderit zotit që më dha mundësinë të bëjë këtë golin, një ditë historike për mua – tha Gjasula -. 55-60 minutat e para bëmë një lojë më të mirë, pastaj e humbëm pak lojën nga dora, për fat rikuperuam”.
LAÇI: “E MERITOJMË 100%”
“Kështu siç shkoi ndeshja me golin në fund, edhe performanca jonë sot e meritonte të paktën një pikë. Kemi bërë mirë, luftuam shumë për një pikë e meritojmë 100%”. Qazim Laçi është protagonist i një ndeshje të bukur, të markuar me një gol në ndeshjen e parë në Euro 2024 të zgjedhur titullar. Mesfushori është i lumtur për arritjen, por nuk heq dorë nga ëndërra, pavarësisht se përpara është Spanja: “Patjetër jam shumë i lumtur për golin por më shumë ka rëndësi pika se na jep konfidencë për ndeshjen me Spanjën. Të gjithë lojtarët do të kenë besim më të lartë me Spanjën. Pse jo, të tentojmë vendin e dytë dhe të tretë edhe pse do të jetë e vështirë”, tha Laçi.
ASLLANI: “MENDOVA SE NDËRHYRI MODRIC”
“Ndeshje me shumë emocione, gjynah që nuk morëm tre pikë. Pësuam dy gola që për mua mund të evitonim por futbolli kështu e ka, në fund kishim rast edhe për 3-2. Ça të bëjmë, morëm një pikë, jemi të lumtur. Mund të bënim më shumë por rruga është kjo”. Kristjan Asllani i gëzohet barazimit 2-2 me Kroacinë, me keqardhjen se ndoshta mund të bëhej më shumë. Sidoqoftë, mesfushori i Inter është gati për sfidën.
Lexo më tej: Video/ Kroacia përmbys në dy minuta, Shqipëria barazon në shtesë: Gjasula “ëngjëll e djall”
Në fund, një reflektim mbi rastin e humbur i vetëm me Livakovic, që Asllani e shpjegon: “Besoja se do ta merrte Modric topin se ishte më afër, e gjuajta me sytë mbyllur. Gabova golin, çfarë të bëj, kështu e ka futbolli”, tha Asllani.
Huazuar nga Lapsi.al