Aktualitet dhe Lajme

Elon Musk dhe trashëgimia e manjatëve në politikën amerikane – Fast News Economy

Share

Ai mbahet mend si një biznesmen serioz, që i dha përparësi stabilitetit mbi spekulimet dhe mbështeti spitalet, muzetë dhe universitetet përmes aktivitetit të tij filantropik. Megjithatë, veprimet e tij në industrinë hekurudhore dhe atë të çelikut krijuan monopole që frymëzuan ligjet më të hershme kundër monopolit në vend.

Për më tepër, fakti që qeverisë amerikane dy herë iu desh të mbështetej tek një biznesmen privat për të shpëtuar financat e saj, u bë një shkak i madh shqetësimi, duke çuar në krijimin e Rezervës Federale (Bankës Qendrore).

Henry Ford (1863-1947)

Henry Ford është më i njohur për prodhimin e automobilit të parë për masat, duke e bërë atë që ishte më parë një produkt luksoz, të përballueshëm për konsumatorin mesatar. Ai gjithashtu njihet për popullarizimin e linjave të prodhimit, për vendosjen e jë orari të rregullt 40 orë pune në javë, si dhe për standarde të larta pagash, me arsyetimin se punëtorët e mirëpaguar dhe të lumtur do të ishin më produktivë dhe të aftë për të blerë makinat që prodhonte ai.

Henry Ford besonte se industria dhe konsumi jo vetëm që do të zhvillonin ekonominë, por do të nxisnin paqen në botë, duke bërë fushatë aktive kundër luftës si humbje produktiviteti. Pasi nuk arriti të parandalonte hyrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore, zoti Ford ndihmoi me përkushtim përpjekjet e luftës dhe zbuti aktivizmin e tij. Ai kandidoi për në Senat më 1918, një garë që e humbi me rezultat të ngushtë.

Megjithatë, jo të gjitha aspektet e reputacionit të zotit Fordit kanë mbetur pozitive. Qasja bujare e manjatit ndaj punonjësve të tij u zhvillua njëkohësisht me kundërshtimin e tij të palëkundur ndaj përpjekjeve për themelimin e sindikatave dhe mbajtjes së grevave të punëtorëve, të cilat u shtypën me forcë.

Qëndrimi i tij kundër luftës kishte gjithashtu një anë më të errët. Zoti Ford ishte veçanërisht antisemitik dhe besonte se hebrenjtë ishin përgjegjës për Luftën e Parë Botërore, si dhe për sëmundje të shumta në shoqërinë amerikane. Pasi bleu gazetën ‘Dearborn Independent’ më 1918, zoti Ford e përdori atë për të botuar teori të shumta konspirative antisemitike. Ai ndaloi vetëm pas kërcënimeve për bojkot kundër kompanive të tij.

Si pjesë e Komisionit që vë Amerikën të Parën, zoti Ford bëri fushatë kundër përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore dhe vazhdoi të bënte biznes me Gjermaninë naziste deri në shpalljen e luftës në vitin 1941 nga Uashingtoni.

 

William Randolph Hearst (1863-1951)

Pronari i gazetave ‘San Francisco Examiner’ (SFE) dhe ‘New York Morning Journal’ (NYMJ), William Randolph Hearst ndërtoi një perandori mediatike. Ai ishte pionier i një forme të raportimit sensacionalist që u bë e njohur si ‘gazetaria e verdhë’. Raportet e ekzagjeruara të NYMJ për dhunën koloniale të Spanjës në Kubë ndezën opinionin amerikan dhe shtuan thirrjet për të ndërhyrë. Kur Kongresi përfundimisht i shpalli luftë Spanjës më 1898, zoti Hearst personalisht udhëtoi në Kubë për të njoftuar mbi konfliktin.

Operacionet mediatike të zotit Hearst do të zgjeroheshin më vonë në dhjetëra gazeta në qytete të shumta, si dhe në revista dhe botues librash.

Pasi vendosi të merrej me politikë, zoti Hearst shërbeu për një kohë të shkurtër në Dhomën e Përfaqësuesve si ligjvënës nga qarku i 11-të i Nju Jorkut. Më vonë humbi zgjedhjet me një rezultat të ngushtë për kryetar bashkie dhe për guvernator të Nju Jorkut. Gazetat e tij kishin botuar editoriale që denonconin me gjuhë të ashpër Presidentin William McKinley dhe ai u fajësua për nxitjen e vrasjes së Presidentit McKinley më 1901.

Fillimisht një populist me qëndrime progresive, zoti Hearst u zhvendos drejt një politikani të krahut të djathtë në vazhdën e Luftës së Parë Botërore dhe Revolucionit Rus të vitit 1917. Ndërsa denoncoi politikat e Presidentit Franklin Delano Roosevelt si anti-amerikane, zoti Hearst shprehu admirim për Hitlerin dhe botoi artikuj nga udhëheqësi gjerman. Megjithatë, zoti Hearst mbështeti hyrjen e SHBA në Luftën e Dytë Botërore pas sulmit në Pearl Harbor, duke mbështetur qëndrime anti-aziatike dhe internimin e amerikano – japonezëve.

Sot, zoti Hearst mbahet mend si frymëzimi i vërtetë për filmin ‘Qytetari Kane’, i cili u realizua ndërsa ishte gjallë dhe të cilin ai u përpoq ta ndalonte.

Përfundim

Manjatët që formësuan politikën amerikane në epokat e kaluara frymëzuan admirim dhe polemika, ndikimi i tyre u bë i qartë vetëm më pas, me kalimin e viteve. Mbetet për t’u parë nëse ndikimi i zotit Musk do të jetë më i gjatë se administrata e Presidentit Trump dhe nëse manjatë të tjerë të kohërave moderne do të ndjekin shembullin e tij.


Huazuar nga fastnewseconomy.com

Back to top button